Ish-futbollisti, tanimë trajneri i Feronikelit 74, Granit Begolli vlerëson se Dritës nuk i falet nëse sivjet nuk e fiton titullin e katërt në histori.
Sipas Begollit, Drita ka marrë futbollistët më të mirë në afatin kalimtar veror, ndërsa ka ruajtur lojtarët më kualitativ që ka pasur. Begolli ka shtuar se në rast të dështimit të Dritës në luftë për titull, trajneri Nuhiu duhet ta marrë përgjegjësinë.
“Sivjet Dritës nuk i falet nëse nuk shpallet kampion. Unë kam thënë se Drita ka marrë futbollistët më të mirë të kampionatit vendor. Ka marrë futbollistin më të mirë të Prishtinës, Llapit, Ballkanit edhe këta futbollistët që kanë qenë pjesë e Dritës kanë qenë të nivelit shumë të lartë, andaj nuk i falet nëse nuk del kampion. Nëse sivjet Nuhiu dështon me Dritën duhet të marrë përgjegjësinë” – ka thënë Begolli në ATV, raporton Demokracia.com.
Drita e Gjilanit pas 13 javësh kryeson në renditjen tabelore me 30 pikë, katër më shumë se Ballkani që ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Nga 13 ndeshje të luajtura, Drita ka realizuar 26 gola, kundrejt 10 të pranuarve dhe konsiderohet një nga kandidatët kryesor për titull të kampionit./Demokracia.com/