Drita dhe Llapi kanë shënuar fitore të reja në Superligën e Kosovës në futboll, në kuadër të javës së 28-të.
Skuadra gjilanase ka demoluar Feronikelin të cilën e mposhti 0:5 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, raporton Demokracia.com.
Simonovski me dy gola, Almir Kryeziu, Namani e Jashari me nga një gol vulosën fitoren e “bardhekaltërve”.
Drita ishte dominuese në të gjitha aspektet e lojës ndaj Feronikelit, skuadrës që me një këmbë është në Ligën e Parë për edicionin e ardhshëm.
“Intelektualët” pozicionohen në vendin e dytë me 52 pikë, tetë më pak se Ballkani lider. Feronikeli ka 12 pikë në vendin e fundit.
Skuadra e drejtuar nga trajneri, Tahir Batatina arkëtoi pikët e plota në Lipjan në takimin kundër Ulpianës së rrezikuar për rënie nga elita.
Llapjanët triumfuan 0:2 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.
Dardan Jashari dhe Alidema ishin autorët e golave për skuadrën mysafire.
Llapi me këtë fitore shkon në kuotën e 44 pikëve në vendin e katërt, kurse Ulpiana ndodhet në pozitën e nëntë me 24 pikë, gjashtë më pak se Dukagjini që gjendet në zonën e barazhit./Demokracia.com/