Drita ka njoftuar zyrtarisht për huazimin për një vit të futbollistit nga Kongo, Raddy Ovouka, shkruan Demokracia.com.
Ovouka do të debutojë sot me fanellën e tre herë kampionëve të Kosovës në ndeshjen miqësore ndaj ekipit sllovak, MFK Tatran, e cila luhet në Antalia të Turqisë. Raddy është 23-vjeçar dhe luan si mbrojtës i majtë.
Klubi gjilanas prezantoi Ovoukan në faqen zyrtare duke publikuar edhe disa fotografi të tij me fanellën bardhekaltër.
Prej tifozëve të Dritës që i uruan nënshkrimin me klubin e tyre të zemrës, kishte prej tyre që thonë se lojtari i ri është sozia e sulmuesit të Përfaqësueses së Zvicrës, Breel Embolo.
“Mendova se keni transferuar Embolon”, “Miresevjen Embolo”, “Embolo” – ishin disa nga komentet e tifozëve të klubit që komentuan në faqen zyrtare në njoftim, shkruan Demokracia.com.
Ovouka është transferimi i parë i Dritës afatin kalimtar të janarit dhe njëherit i pari nga ardhja e trajnerit Arsim Thaqi.
“Bardhekaltrit” janë zhvendosur së fundmi në qytetin bregdetar turk për të kryer fazën përgatitore para fillimit të stinorit pranveror në Superligën e Kosovës.
Drita është lidere e Superligës me 38 pikë, aq sa ka grumbulluar edhe Ballkani, rivali kryesor i gjilanasve në garën për titull./Demokracia.com/