Sport
Drita mbush arkat pas kalimit në rrethin tjetër të Ligës së Konferencës, kaq para ka siguruar klubi gjilanas
Demokracia
15:12 | 13 Korrik 2022

Share:

Nënkampionia e Kosovës në futboll, Drita ka shënuar një sukses tjetër të martën mbrëma në garat evropiane.

Skuadra e drejtuar nga trajneri shkupjan, Ardian Nuhiu u kualifikua në rrethin e dytë të kualifikimeve në Ligën e Konferencës, duke e eliminuar në ndeshjen e kthimit me përmbysje skuadrën finlandeze, Inter Turku, raporton Demokracia.com.

3:0 ishte rezultati final në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, falë golave të Arbnor Mujës (48’ 50’) e Marko Simonovskit (2’).

Me këtë rast klubi “bardhekaltër” falë këtij kalimi i ka të siguruara 350 mijë euro.

Këtë shumë Drita e ka të sigurt edhe në rast se eliminohet nga Royal Antwerp në rrethin e dytë.

Shuma do të rritej për 200 mijë euro nëse Drita arrin të “gjunjëzojë” edhe ekipin belg në rrethin e dytë.

Drita është ndër klubet që ka përfituar mjaft shumë mjete financiare nga garat evropiane, duke marrë parasysh se klubi nga Anamorava merr pjesë në garat e UEFA-s tash e disa vite që nga pranimi i Kosovës në dy institucionet më të larta të futbollit në botë.

Drita dhe skuadra belge, Antwerp do të ndeshen më 21 korrik dhe pastaj ndeshja e kthimit pas një jave. Ndeshja e parë do të luhet në Belgjikë, kurse ajo e kthimit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë./Demokracia.com/

Të ngjashme