Rrugëtimin për të triumfuar për herë të katërt në kampionat në histori të klubit, Drita e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme.
Skuadra që udhëhiqet tash e sa vite nga trajneri Ardian Nuhiu kanë regjistruar tetë fitore dhe kanë grumbulluar 27 pikë në 11 ndeshje të zhvilluara në këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll, raporton Demokracia.com.
Drita është në mesin e atyre skuadrave që ende nuk e dinë “shijen” e humbjes në Evropë.
Përveç tri barazimeve, “bardhekaltrit” nga qyteti i Gjilani nuk dinë për disfatë, duke regjistruar një goldallim prej 24:8.
Ecuri pa humbje sikurse Drita janë duke e kaluar vetëm edhe tri skuadra tjera në dhjetë kampionatet elitare në Gadishullin Ballkanik.
Dinamo Zagrebi në Kroaci, Panathinaikosi në Greqi dhe Crvena Zvezda në Serbi janë ekipet e tjera të pamposhtura deri më tani në rajon.
Drita e Gjilanit edhe këtë edicion konsiderohet një nga pretendentët kryesor për titull të kampionit në elitën e futbollit kosovar.
“Intelektualët” pozicionohen në vendin e parë me 27 pikë, pesë më shumë se Ballkani që ka dy ndeshje më pak të luajtura. Ndeshjen e radhës Drita e luan në Gjilan kundër Prishtinës./Demokracia.com/