Lajme
Drita e gjelbër për kosovarët nga Madridi, çfarë e lëvizi shtetin që kundërshton rreptë pavarësinë
Demokracia
17:04 | 08 Janar 2024

Share:

Madridi ka vendosur që nga 1 janari t’i njohë pasaportat e Kosovës, duke lejuar që kosovarët të hyjnë me to edhe në Spanjë. Qeveria e Kosovës e mori vesh këtë gati një javë më vonë. Megjithatë, kryeministri Albin Kurti dhe dy zëvendësit e tij, Besnik Bislimi e Donika Gërvalla i morën meritat për këtë, duke thënë se ky është rezultat i punës së tyre. Spanja qartazi ndërroi qëndrim dhe nuk tregoi saktësisht se pse. “Kurrë asgjë nuk keni bërë për këtë punë ju”, i tha nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, Qeverisë.

Pasaporta e Kosovës tash vlen edhe në Spanjë. Madridi ka ndryshuar qëndrim duke i lejuar kosovarët nga ky vit të udhëtojnë edhe në këtë shtet me pasaportën me stemën e shtetit 16-vjeçar.

Vendimin e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës pasi këtë e bënë institucionet e Bashkimit Europian.

Zëdhënësja e Komisionit Europian për çështjet e brendshme, Anitta Hiper, konfirmoi sot vendimin e Spanjës në një përgjigje për Gazetën Express.

“Konfirmohet vendimi i Spanjës. Asnjë kusht i mëtejshëm nuk duhet për këtë”, tha shkurtimisht ajo.

Pasi ndërkombëtarisht u dha njoftimi për këtë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi shkroi të shtunën në Facebook se “lajmet e mira vazhdojnë”.

“DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti. Ndërsa me 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Shengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë”, shkroi ai.

Bislimi i mori në qeveri meritat për këtë. “Vazhdojmë tutje, për të sjellë lajme të tjera të mira, e që ndikojnë pozitivisht për qytetarët tanë”, shkroi ai.

Një ditë pas, kryeministri Albin Kurti shkroi se “java e parë e vitit të ri ka qenë javë e fillimeve të reja për qytetarët dhe shtetin”

Duke përmendur liberalizimin e vizave, njohjen e targave të automjeteve nga ana e Serbisë dhe marrëveshjen për rrymën në veri, ai shkroi në Facebook se këto “janë rezultate të një pune të gjatë e vendosmërie të madhe të institucioneve tona që vazhdon edhe më tej”.

“Falënderoj të gjithë kabinetet politike dhe punonjësit e shtetit dhe qeverisë për kontributin e tyre, dhe partnerët tanë ndërkombëtar për rolin që kanë luajtur. Por më së shumti qytetarët e vendit tonë që na besuan dje dhe që na mbështesin sot e çdo ditë. Vazhdojmë!”, shkroi Kurti.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, shkroi në Facebook duke i falënderuar “të gjithë ata që janë angazhuar për arritjen e këtij suksesi”. “Na mbetet të vazhdojmë, si çdo ditë gjatë këtyre dy viteve të mandatit tonë, punën intensive për të forcuar edhe më tej Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, shtoi ajo.

Një deputete nga pushteti, Jeta Statovci e Listës Guxo, për këtë ia dha disa merita edhe këshilltarit të jashtëm, Gani Jakupi i cili njihet për pagën e tij të lartë që merr nga shteti. “Qenka e mundur të paguhesh nga vendi e t’i shërbesh njëmend atij. Ja një pjesë e rezultatit. Vazhdojmë!”, shkroi ajo në Facebook.

Pasi mori këto merita nga deputetja, Gani Jakupi u lajmërua duke shkruar: “Duket se Spanja përfundimisht erdhi në vete”.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri shkroi të dielën Qeveria nuk ka bërë “kurrë asgjë për këtë punë”. Ai tha se ky vendim e befasoi Qeverinë, ashtu si Gani Jakupin.

“Spanja befasoi qeverinë, z. Besnik Bislimi dhe Gani Jakuptin me super pagë për asgjë, me pranimin e njëanshëm të pasaportës së Kosovës, duke na njoftuar përmes DG Home/BE dhe jo nëpërmjet Ministrisë së Jashtme të Spanjës. Kurrë asgjë nuk keni bërë për këtë punë ju. Nada! Veç thuani faleminderit z. Borell! Urime fansave të Barcelonës dhe Realit, mbi të gjitha! “, shkroi Haziri.

Çka thanë në Spanjë?

Kur liberalizimi i vizave për Kosovën u miratua nga Këshilli Europian në mars të vitit të kaluar dhe Parlamenti Europian një muaj më vonë, Komisioni Europian paralajmëronte se Spanja përjashtohej prej këtij vendimi, pasi nuk e njeh vlefshmërinë e pasaportës kosovare.

Spanja është një nga pesë shtetet bashkë me Qipron, Rumaninë, Sllovakinë dhe Greqinë që nuk njeh Kosovën. Në mesin e këtyre, Madridi mban një linjë më të ashpër për shkak të rajoneve separatiste brenda saj edhe pse shumëkush argumenton se Kosova s’ka lidhje me rastin e Katalonisë.

Ministri i Punëve të Jashtme, José Manuel Albares, pati thënë: “Spanja ka një politikë të mosnjohjes së Kosovës dhe kjo nënkupton mosnjohjen e pasaportave të Kosovës, të cilën ne e kemi zbatuar vazhdimisht”.

El Pais, një prej gazetave kryesore të Spanjës shkroi të dielën se Ministria spanjolle e Punëve të Jashtme ka konfirmuar pranimin e pasaportës së Kosovës në doganat spanjolle, edhe pse nuk ka shpjeguar arsyet që kanë çuar në këtë ndryshim, i cili përfshin modifikimin e rregulloreve për dokumentacionin.

Sidoqoftë, njohës të fushës së sigurisë vlerësojnë se një nga arsyet që mund ta ketë shtyrë Spanjën ta marrë vendimin ka të bëjë me krimin transacional. Në raporte ndërkombëtare shpesh është përmendur pengesa që i është bërë Kosovës “për të trajtuar krimin e organizuar transnacional sepse Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe pesë anëtarë të BE-së – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja – nuk e njohin shtetësinë e saj”.

“Nga nëntë agjencitë kyçe të zbatimit të ligjit, kufirit dhe gjyqësorit që vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ose mund t’i bashkohen ose të bashkëpunojnë, Kosova është një shtet anëtar i vetëm dy prej tyre. Rezultati paradoksal është se Kosova kritikohet për përpjekje të pamjaftueshme për të luftuar krimin e organizuar transnacional, por është pjesërisht e hendikepuar nga mungesa e qasjes në informacion dhe operacionet e përbashkëta të ndihmuara nga organizata të tilla” thuhet në një raport të Global Initiative.

Ministria e Jashtme e Spanjës tha sot se qytetarët kosovarë do të kishin telashe për ta vizituar këtë shtet nëse nuk do të merrej ky vendim.

“Të gjitha shtetet e [Zonës] Schengen që nuk e njohin [Kosovën] e kanë pranuar përdorimin e pasaportave kosovare. Kjo, në asnjë mënyrë, nuk nënkupton, njohje të Kosovës”, tha për Gazetën Express Elena Aljarilla Cortezon, zëdhënëse e MPJ-së spanjolle.

Ajo tha se Spanja e mbështet dhe do të vazhdojë ta mbështesë dialogun e Kosovës me Serbinë, “si një mënyrë e zgjidhjes së kësaj çështjeje dhe kërkon ta kufizojë ndikimin e saj tek qytetarët”.

Qeveria spanjolle vitet e fundit e ka kushtëzuar njohjen e pavarësisë së Kosovës me një marrëveshje me Serbinë, por ka siguruar se kjo nuk do ta pengojë afrimin e Kosovës me Bashkimin Europian.

Spanja nuk e kundërshton më pjesëmarrjen e Kosovës në samitet e e BE-së me Ballkanin Perëndimor, por kërkon që të mos shfaqet flamuri. Samiti i fundit i këtij lloji u mbajt më 13 dhjetor në Bruksel, ndërsa Spanja udhëheqte me Presidencën e Unionit.

Nga 1 janari, kosovarët me pasaporta biometrike u lejuan të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Shengen.

Spanja është në mesin e pesë shteteve anëtare të Bashkimit Europian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ashtu si Greqia, Qipro, Sllovakia e Rumania, të cilat megjithatë i njohin dukementet e udhëtimit të lëshuara nga Kosova.

Të ngjashme