Sport
Drita dhe Gjilani ankohen për mospërdorimin e VAR-it, pretendojnë se janë dëmtuar në dy raste
Demokracia
21:39 | 10 Mars 2022

Share:

Drita dhe Gjilani kanë barazuar 1:1 në derbin numër 39-të në histori të zhvilluar në stadiumin e qytetit në Gjilan.

Shend Kelmendi për Gjilanin dhe Ilir Blakçori për Dritën ishin dy realizatorët e golave të kësaj sfide, raporton Demokracia.com.

Gjatë ndeshjes nga dy taboret kishte protesta në ndarjen e drejtësisë, ngase pretendonin se janë dëmtuar në disa raste, me theks të veçantë për dy momente kur kërkonin 11-metërsh.

Drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook një fotografi ku shihet një përballje në zonën e rreptësisë mes Ajzerajt të Dritës e Musollit të Gjilanit, e që sipas Zymberit është dashur rishikimi me VAR për të akorduar penallti në të mirë të “bardhekaltërve”.

“I ndjeri Shinasi Berisha thojke: “Bindje e lirë e gjyqtarit!! Në këtë rast edhe e VAR-it”, shkruan Zymberi.

Në anën tjetër, edhe në taborin “kuqebardhë” ka pretendime për një lojë me dorë nga ana e Hamdi Namanit në zonën e rreptësisë te Drita.

Gjilani publikoi pamjet e momentit diskutabil, ndërsa ironizuan me VAR-in.

“Për të qenë i sinqertë, ne ende nuk e dimë se si nuk ishte kjo penallti”, shkruan faqja zyrtare e SC Gjilanit.

Kujtojmë se gjyqtar kryesor i takimit ishte, Dardan Çaka, kurse në dhomat e VAR-it ishte gjyqtari, Visar Kastrati. /Demokracia.com/

Të ngjashme