Afati kalimtar i verës ka nisur para disa javësh në Superligën e Kosovës në futboll. Disa nga klubet kanë përforcuar radhët e veta qysh në ditët e para të merkatos, ndërsa disa të tjera ende nuk kanë nisur zyrtarizimin e përforcimeve të reja, ndonëse bisedimet nuk mungojnë, raporton Demokracia.com.
Drita dhe Ferizaj janë dy klubet më të përforcuara deri në ditën e sotme (20.06.2022). Dy klubet “bardhekaltër” kanë zyrtarizuar nga gjashtë përforcime duke udhëhequr në garën e klubeve më aktive në këtë afat kalimtar.
Llapi, fituesi i Kupës së Kosovës gjithashtu ka treguar “dhëmbët” deri më tani duke u përforcuar me pesë lojtarë të ri.
Kampioni i Kosovës, Ballkani ka intervenuar në mesfushë dhe në krahë të mbrojtjës me dy futbollistë që ishin në “radarin” edhe të klubeve të tjera në Kosovë, por edhe në Shqipëri.
BALLKANI: Qëndrim Zyba – Leonit Abazi
“Portokallezinjtë” nga Suhareka e kanë fituar garën me shumë klube për shërbimet e mesfushorit, Qëndrim Zyba.
Zyba nënshkroi kontratë trivjeçare me kampionët e Kosovës, raporton Demokracia.com.
Për tri vite nënshkroi me Ballkanin edhe mbrojtësi i krahut, Leonit Abazi.
Futbollisti gjilanas erdhi te Ballkani nga Prishtina, klub me të cilin u shpall kampion i Kosovës një edicion më herët.
DRITA: Besnik Krasniqi, Blend Baftiu, Kastriot Selmani, Florjan Smakiqi, Leonat Vitija, Iran Junior
Nënkampionia e Kosovës, Drita e nisi merkaton e verës duke e siguruar portën me portierin, Florjan Smakiqin.
Tre herë kampionët e Kosovës i përforcoi pak ditë më pas edhe mbrojtësi me shumë përvojë i krahut, Besnik Krasniqi.
Me largimin e Cuculit, Drita u hodh në hap dhe siguroi firmën e qendërmbrojtësit të ri Leonat Vitija.
Në radhë për prezantim ishte edhe Iran Junior i cili u aktivizua te Ulpiana edicionin e fundit. Krejt në fund, Drita lansoi një tjetër “bombë” duke nënshkruar me Kastriot Selmanin që shkëlqeu te Llapi edicionet e fundit.
LLAPI: Gerhard Progni, Amrush Bujupi, Ardi Qorri, Fernando Augusto, Albion Kurtaj
Llapi ka shkaktuar një nga goditjet më të mëdha të merkatos së verës duke nënshkruar për një vit me golashënuesin më të mirë të edicionit të fundit, Gerhard Prognin.
Llapjanët fituan garën me Prishtinën për sulmuesin nga Tropoja e Shqipërisë që ishte pjesë e Superligës së Kosovës tash e disa vite kur mbrojti ngjyrat e Gjilanit.
Albion Kurtaj e Ardi Qorri si dy talentë të mëdhenj iu bashkuan gjithashtu Llapit të Tahir Batatinës, teksa portieri Amrush Bujupi dhe Fernando Augusto ishin përforcimet e tjera.
FERIZAJ: Astrit Fazliu, Bujar Shabani, Leotrim Rexhepi, Betim Haxhimusa, Edon Sadriu, Donat Hasanaj
Klubi i sapo promovuar në elitën e futbollit kosovar, Ferizaj ka vendosur të përforcojë ekipin kryesisht me lojtar vendor.
Shumë nga futbollistët ferizajas u larguan nga klubet e tjera të Superligës për t’iu bashkuar ekipit të tyre të fëmijërisë.
Lojtarë si Astrit Selmani, Bujar Shabani, Leotrim Rexhepi, Edon Sadriu u rikthyen në tempullin ku morën hapat e parë. Ferizaj që edhe në Superligën e Kosovës do të udhëhiqet nga Arbnor Morina zyrtarizoi kalimin të Donat Hasanajt.
Klubet e tjera si Gjilani, Prishtina, Drenica, Dukagjini, Malisheva e Trepça ’89 ende nuk e kanë zyrtarizuar asnjë transferim./Demokracia.com/