Lajme
Dreshaj për përgjimet: Mozaiku i organizuar lidhur me energjinë ka filluar të kompletohet, Kurti të japë sqarim
Demokracia
18:23 | 10 Korrik 2023

Share:

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, teksa ka komentuar përgjimet e dala në media për një komunikim të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së me Igor Simiqin e Listës Serbe, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka për obligim që ta sqarojë këtë situatë.

I ftuar në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, Dreshaj ka thënë se kjo javë do të jetë “e nxehtë”, teksa këtë ngjarje e ka cilësuar si skandal.

“Është herët të flitet, mendoj që mozaiku i organizuar lidhur me energjinë ka filluar të kompletohet. Ditët në vijim do të sqarohet ky skandal. Shihet që janë disa bisede që janë jo të përmbyllura deri në fund dhe nëse elaborohen deri në fund ditët në vijim do të jenë ditë të nxehta lidhur me zhvillimet në vend. Kjo qeveri ka vazhduar të mashtrojë dhe ky është mashtrimi i radhës. Qeveria dhe partia më elitare që e kemi në pushtet ka ardhur në pushtet që  nuk ka dialog me serbët e Serbisë, por me ata vendor, dhe dalin këto incizime të cilat janë brengosëse për vendin. Do të jetë javë e nxehtë për gazetarët”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse del që bazë e krejt këtyre është një zhvatje apo keqpërdorim i fondeve në raport me energjinë në veri, “aty nuk ka vend vetëm për përgjegjësi morale por edhe për të tjera”.

“Çështja e energjisë është një nga çështjet kulmore të rajonit. I pari e vendit e ka për obligim që ta sqarojë situatën deri në fund dhe do të kërkojmë sqarime nga ai qoftë në seancë të hapur apo të mbyllur. E përkrahim së pari që kryeministri të shkojë në shtëpi dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, shtoi më tej deputeti i AAK-së.

Dreshaj ka theksuar se një qeverisje e tillë me të gjitha këto probleme, “mendoj që nuk është një politikë e shëndoshë që çon përpara në zgjidhjen e problemit të Kosovës”.

Të ngjashme