Lajme
Dreshaj në pritje për certifikim, thotë se AAK do të pranojë vendimin e Supremes
Demokracia
14:24 | 28 Janar 2021

Share:

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të pranojë çfarëdo vendimi që merr Gjykata Supreme lidhur me kandidatët, të cilët për shkak të problemeve me ligjin, mund të mbeten jashtë listës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Shemsedin Dreshaj, i cili synon postin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, por që është një prej katër emrave nga AAK për të cilin do të vendosë Supremja, pret që gjykata të marrë vendim në favor të tij.

AAK ka dorëzuar dje ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për mos certifikim të katër personave nga ky subjekt, meqë të njëjtit janë të dënuar nga gjykata në tri vjetët e fundit.

Në pritje të Supremes është edhe Dreshaj, infektologu që sivjet iu bashkua AAK-së, e cila e futi në listën e kandidatëve për deputet.

Dreshaj thotë se do të pranojmë vendimin e prerë të Gjykatës Supreme.

“Ne kemi ligje të tilla që nganjëherë nuk janë shumë logjike dhe nuk na përshtaten, ose nuk na konvenojnë, por ne do t’i respektojmë. Aktualisht, lënda ime është në Gjykatë Supreme. Supremja do të marrë vendim dhe vendimi shpresoj të jetë në favor timin pasi që lënda është e vjetërsuar. Ka qenë një aksident rrugor zinxhiror. Vendimet e prera do të jenë të respektueshme dhe të pranueshme për mua si individ dhe kandidat për deputet, por njëkohësisht edhe për AAK-në”, tha Dreshaj.

Dreshaj është në mesin e 47 personave nga parti të ndryshme, të cilët nuk po arrijnë të certifikohen për kandidatë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Garës për deputet ai po pretendon t’i futet duke premtuar shëndetësinë prioritet për AAK-në.

Dreshaj thotë se me Ramushin president do të sigurojmë vaksinën për të gjithë qytetarët, raporton KP.

“Me Ramushin president, i cili është shumë i afërt me shumicën e shteteve të BE-së dhe i besueshëm te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të përdorim influencën e tij që sa më shpejt të sjellim vaksinën. Qëllimi jonë është të vaksinohet komplet popullata e Kosovës, por minimumi është sasia që do ta sigurojmë, nënkupton numrin e mjaftueshëm të pacientëve ose personelit që është lëvizës, qoftë ai shëndetësor, personat e sigurisë, ushtarët e FSK-së. Këto grupime do të jenë prioritet për ne, çdo herë duke aluduar që të sigurojmë rreth 1 milion doza dhe të sigurojmë vaksinimin e rreth gjysmës së popullatës”, tha ai.

Në një konferencë për media, Dreshaj tha se do të sigurojnë vaksinën nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të ngjashme