Sport
Drenica me shumë probleme udhëton në Gjilan
Demokracia
15:32 | 19 Nëntor 2021

Share:

“BKT” Superliga e Kosoves në fundjavë sjell një ndeshje shumë interesante.

Të shtunën me fillim nga ora 13:00, Drenica do të jetë musafire e Dritës në Stadiumin e Qytetit në Gjilan.

Drita ishte skuadra e parë që e mposhti Drenicën në këtë edicion pas një barazimi dhe tre fitoreve që kishin regjistruar kuqezinjët.

Në atë ndeshje “Intelektualëve” tre pikët ua dhuruan Hajzeraj dhe Namani në fitoren 2-0 në “Bajram Aliu”. Në tre ndeshjet e fundit gjilanasit kanë marrë dy fitore dhe një humbje, kurse drenicasit kanë regjistruar një fitore dhe në dy ndeshjet e fundit kanë pësuar humbje.

Në pesë ndeshjet kundër njëra-tjetrë të zhvilluara në Gjilan, Drita ka shënuar tre fitore, kurse dy ndeshje kanë përfunduar në barazim.

Ndeshjet mes Dritës dhe Drenicës dhurojnë gola dhe emocione dhe këtë e dëshmojnë statistikat, ku në dhjetë ndeshjet e fundit nuk është regjistruar asnjë barazim 0-0. Në këto dhjetë ndeshje, “Intelektualët” kanë realizuar 23 gola, kurse “Shqiponjat e Zeza” kanë shënuar vetëm gjashtë gola.

“Për të besuarit e Tahir Lushtakut kjo ndeshje pritet të jetë e vështirë për shkak të problemeve financiare që po kalon klubi, por dhe pas dorëheqjes së kryesisë që erdhi pak ditë më parë.

Forca Drenicë”, ka shkruar KF Drenica. /Demokracia.com

Të ngjashme