Blend Zymi së bashku me Visar Gecin, dje përmes postimeve në rrjete sociale kanë paralajmëruar disa skandale që, sipas tij, kanë ndodhur në Komunën e Podujevës, përkatësisht në Drejtorinë e Urbanizmit nga udhëheqësi i këtij dikasteri, Leutrim Krasniqi.
Geci, arkitekt dhe Zymi mik i tij, që të dytë mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Albin Kurtit, thanë dje se u ishte bërë padrejtësi sa i përket ndërtimit të disa shtëpizave në Liqenin e Batllavës.
Lidhur me këtë, ka reaguar drejtori i Urbanizmit, Leutrim Krasniqi.
Sipas tij, Zymi dhe Geci janë “hatëruar për shkak të mos realizimit të kërkesës së tyre për ndërtimin e villave pranë Liqenit të Batllavës”.
“Veprimet e personave të caktuar janë formë e pastër shantazhi ndaj Komunës, Kryetarit, ndaj meje si dhe të Lëvizjes Vetëvendosje! pasi nuk arritën realizimin e kërkesës së tyre të pajisjen me Pëlqim Mjedisor për ndërtimin e Villave. Ajo çfarë kërkojnë ata është të mos zbatohet ligji, por këtë gjë nuk do ta lejojmë dhe se nuk mundet askush të na shantazhojë”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
Ai shpjegon se parcela e kërkuar nga Zymi dhe Geci, e planifikuar për ndërtim, në fakt ka destinim pyjor.
“Të gjitha këto veprime nga ana jonë po bëhen me qëllim të mbrojtjes së Liqenit të Batllavës, ashtu edhe siç është e përcaktuar si zonë e mbrojtur në bazë të legjislacionit në fuqi. Ndërsa, veprimet e personave të caktuar janë formë e pastër shantazhi ndaj Komunës, Kryetarit, ndaj meje si dhe të Lëvizjes Vetëvendosje! pasi nuk arritën realizimin e kërkesës së tyre të paisjen me Pëlqim Mjedisor për ndërtimin e Villave. Ajo çfarë kërkojnë ata është të mos zbatohet ligji, por këtë gjë nuk do ta lejojmë dhe se nuk mundet askush të na shantazhojë” ka thënë mes të tjerash Krasniqi.
Ky është reagimi i plotë i tij:
Të nderuar qytetarë,
Gjatë ditës së djeshme kanë filluar sulmet ndaj meje si dhe ndaj kryetarit të komunës z. Shpejtim Bulliqi. Persona të caktuar janë hatëruar për shkak të mos realizimit të kërkesës së tyre për ndërtimin e villave pranë Liqenit të Batllavës.
Bazuar në ligjet përkatëse, palët kanë aplikuar për informim për parcelën që ata kanë planifikuar të ndërtojnë villa, por duke u bazuar në Planin Zhvillimor Komunal (PZHK), parcela e tyre ka destinim pyjor. Pas lëshimit të aktit administrativ të kërkesës, është parë e nevojshme nga Drejtoria të bëhen disa ndryshime në të, ashtu edhe siç specifikohet në Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Pas këtij hapi nga informata e marrë jo zyrtarisht për debat publik edhe pse sipas Ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, komuna duhet të njoftohet. Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit ka dërguar mesazh elektronik, Ministrisë përkatëse, në të cilin është kërkuar bashkëpunim me Drejtorinë në kuadër të mbrojtjes së mjedisit ashtu siç e potencon Ligji për mjedis. Edhe pse procedura për Pëlqim Mjedisor zhvillohet në Ministri, ne si komunë i kemi bërë kërkesë për anulim por jo në ndërhyje në vendimin e tyre, duke u bazuar në PZHK.
Të gjitha këto veprime nga ana jonë po bëhen me qëllim të mbrojtjes së Liqenit të Batllavës, ashtu edhe siç është e përcaktuar si zonë e mbrojtur në bazë të legjislacionit në fuqi. Ndërsa, veprimet e personave të caktuar janë formë e pastër shantazhi ndaj Komunës, Kryetarit, ndaj meje si dhe të Lëvizjes Vetëvendosje! pasi nuk arritën realizimin e kërkesës së tyre të paisjen me Pëlqim Mjedisor për ndërtimin e Villave. Ajo çfarë kërkojnë ata është të mos zbatohet ligji, por këtë gjë nuk do ta lejojmë dhe se nuk mundet askush të na shantazhojë.
Ta ruajmë mjedisin, ta ruajmë Liqenin e Batllavës! /Demokracia.com/