Lajme
Drejtori i ri i KEK-ut nuk humb kohë, emëron kushërirën u.d Drejtoreshë në Zyrën e Prokurimit – e intervistuar në rastin e Nagip Krasniqit
Demokracia
19:57 | 06 Mars 2024

Share:

Nga një i degraduar, meqë ishte zënë duke mbjellur grurë në deponi të hirit, Bekir Gërguri, anëtar i Vetëvendosjes, u emërua Ushtrues Detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Korporatës Energjetike të Kosovës me 21 shkurt.

Veç dy javë më vonë Gërguri pa humbur kohë ka vendosur ta gradojë edhe kushërirën e tij.

Dikur zyrtare në Zyrën e Prokurimit në KEK, Mirvete Gërguri, tashmë është emëruar ushtruese detyre e Drejtoreshës së Zyrës së Prokurimit.

Gërguri – vetë ish-kandidat për Asamble Komunale në Obiliq nga Lëvizja Vetëvendosje, që u emëruar nga bordi, po ashtu i zgjedhur nga Qeveria, për të ushtruar kompetencat e ushtruesit të detyrës, pasi i kaluari, Nagip Krasniqi, akuzohet për disa keqpërdorime nga Prokuroria e Kosovës – e emëroi kushërirën e tij, kur paraprakisht e largoi ushtruesin e detyrës në këtë pozitë, Driton Bytyçin.

Në anën tjetër, zonja Gërguri, siç ka marrë vesh Albanian Post, ishte një nga personat e intervistuar në rastin kundër Nagip Krasniqit, meqë edhe dyshohet se një pjesë e keqpërdorimeve erdhën pikërisht nga kjo zyrë e prokurimit, ku Mirvete Gërguri punonte si zyrtare.

Zyra e Prokurimit është kontrolluesja e tenderëve dhe marrëdhënieve kontraktuale në të cilat futet KEK-u.

Sa për vetë drejtorin Beki Gërguri, ai njihet qysh nga vitit 2012 kur u zu, bashkë me një person tjetër, tek mbillte grurë në deponi të hirit.

Raportet nga ajo kohë tregojnë se kishte rreth “15 hektarë tokë e kontaminuar janë mbjellë me këtë kulturë bujqësore”.

Toka ku ishte mbjellur gruri dyshohej të jetë kancerogjene për shkak të metaleve të rënda.

Por Gërguri kishte parë mundësi të mirë fitimi, në kurriz të rrezikimit të jetëve përmes shitjes së një gruri të kontaminuar.

Përndryshe, pozita e drejtorit të KEK-ut ka mbetur zbrazët që nga 25 prilli i vitit të kaluar kur Bordi i Drejtorëve e pezulloi nga puna Nagip Krasniqin, ish-drejtorit të Përgjithshëm të arrestuar më 19 prill nën dyshimet për korrupsion.

Të ngjashme