Lajme
Drejtori i Policisë kritikohet që nuk i suspendoi pesë eprorët serbë që i shkuan Vuçiqit në takim
Demokracia
11:26 | 01 Prill 2022

Share:

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, është kritikuar nga deputetët për mos suspendimin e pesë eprorëve të Policisë së Kosovës të cilët kanë marrë pjesë në një mbledhje të thirrur nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

Deputeti i PDK-së dhe ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, ka thënë se eprorët serbë është dashur të suspendohen nga vetë Policia e pastaj rasti të shkojë në Inspektoratin Policor të Kosovës, shkruan Demokracia.com.

“I kemi pasur eprorët e Policisë që kanë qenë në Serbi dhe në njëfarë mënyre kanë shprehë gatishmërinë ta lëshojnë punën për shkak të vendimit të drejtë të Qeverisë për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. E di që i keni çuar në inspektorat. Unë mendoj se nuk është veprim i qëlluar. Drejtori i Policisë ka mandatin me i suspendu së pari e pastaj t’i çoj në IPK. Drejtori i Policisë e ka mandatin mos me ju përzi kurrkush. Nuk kërkojmë që njerëz të pafaj, jemi të shqetësuar me ata njerëz. Është dashur të suspendohen. E di që probleme politike, por nëse e shikojmë në këtë mënyrë ata do të përsëriten”, ka thënë Qalaj në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, përcjell Demokracia.com.

Kurse, Mehmeti ka thënë se po e presin vendimin e IPK-së. Sipas tij, policia ka vlerësuar se ata kanë kryer vepër penale.

“Ne e kemi vlerësuar se ata duhet të shkojnë të hetohen dhe masanej të marrim masa. Ndoshta kish mujt me qenë edhe ajo variant që po e përmendni. Ne e kemi vlerësuar se ata kanë bërë vepër penale, prandaj e kemi çuar në inspektorat, jemi duke i pritur masat që do t’i ndërmerr inspektorati”, tha ai.

Të ngjashme