Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Burim Dinarama, e ka dërguar sekretaren e tij në një trajnim në Gjenevë, ani se zyrtarë të këtij institucioni ia bënë të ditur se trajnimi nuk hyn në kuadër të detyrave të saj të punës.
Drejtori i ka autorizuar shpenzimet e trajnimit në fushën e Aviacionit “Menaxhimi i Transportit Ajror”, për zyrtaren ekzekutive në vlerë të 1441 eurove, ndonëse sipas përshkrimit të përgjithshëm të përgjegjësive të saj, thuhet se ushtron funksione të ndryshme sekretarie.
“Zyrtari ekzekutiv është përgjegjës për menaxhimin e përgjithshëm të zyrës së drejtorit të përgjithshëm dhe koordinimin e përmbushjes së detyrave me stafin udhëheqës”, thuhet në përshkrimin e detyrës për sekretaren.
Ndërkaq për akomodim AAC-ja ia ka aprovuar shpenzimet në vlerë të 1560 eurove.
KOHA ka parë disa komunikime të brendshme që janë shkëmbyer përmes emaileve nga drejtori Dinarama dhe njëri nga personat përgjegjës për procesimin e pagesave të trajnimit, i cili ngre shqetësim për dërgimin e saj në trajnimin në Gjenevë.
Mes të tjerash zyrtari i AAC-së, duke u thirrur në përvoja të kaluara, konstaton se trajnimi nuk hyn në kuadër të detyrave të punës, për çka refuzon ta nënshkruajë.
“Trajnimi është në fushën e aviacionit që nuk e ka në përshkrim të detyrave të punës. Përveç këtyre, nuk e di a jeni i njoftuar që para dy vjetësh ka ardhur një shkresë prej Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ku ka rekomanduar të kihet kujdes në aprovim të trajnimeve, të mos dërgohen persona që nuk janë të asaj fushe, dhe me sa e di prej informatave jozyrtare kjo lëndë është në gjykatë. Për arsyet e lartpërmendura nuk mund ta nënshkruaj këtë trajnim”, thuhet në një email nisur drejtorit Dinarama.
Tutje drejtori merr përgjegjësitë dhe e udhëzon zyrtarin që trajnimi të nënshkruhet nga ai.
KOHA i ka kërkuar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit opinion lidhur me këtë rast, por në APK kanë thënë se bazuar në përgjegjësitë aktuale ligjore, rasti nuk përbën objekt trajtimi, meqë nuk hyn në fushën e konfliktit të interesit.
Mirëpo, në aviacionin civil, në një përgjigje për KOHËN kanë thënë se trajnimi për zyrtaren ekzekutive ka për qëllim ngritjen e aftësive profesionale, gjë që, siç kanë thënë, kërkohet edhe me Ligjin për zyrtarët publikë.
Në AAC thonë se zyrtarja ekzekutive luan rol të rëndësishëm në bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtar në fushën e aviacionit civil.
“Trajnimi i përzgjedhur në ‘Menaxhimin e Transportit Ajror’ i IATA-s është një program i përgjithshëm mbi aviacionin civil, që ofron njohuri të përgjithshme mbi funksionimin e autoriteteve të aviacionit civil, ligjet dhe konventat ndërkombëtare të aviacionit civil, si dhe rolet e operatorëve të ndryshëm, si aeroporteve dhe ofruesve të shërbimeve të navigimit ajror. Pjesëmarrja në këtë trajnim e zyrtares ekzekutive është pjesë e përpjekjeve të AAC-së për të rritur kapacitetet dhe njohuritë profesionale të zyrtarëve të institucionit”, thuhet në përgjigjen e Autoritetit të Aviacionit Civil.