Auto&Tech
Drejtori ekzekutiv i TikTok do të dëshmojë para Kongresit Amerikan në mars
Demokracia
09:07 | 31 Janar 2023

Share:

Shou Zi Chew, drejtor ekzekutiv i TikTok do të dëshmojë në një seancë të ardhshme dëgjimore përpara Komitetit të Energjisë dhe Tregtisë së Dhomës së Përfaqësuesve, konfirmoi një zëdhënës i komitetit për CNN të hënën.

Chew do të jetë dëshmitari i vetëm në seancën e planifikuar për më 23 mars.

Ai pritet të dëshmojë mbi privatësinë dhe praktikat e sigurisë së të dhënave të TikTok, ndikimin e tij te përdoruesit e rinj dhe “marrëdhënien e tij me Partinë Komuniste Kineze”, sipas një njoftimi në lidhje me seancën në faqen e internetit të komisionit.

“Ne i kemi bërë të qarta shqetësimet tona me TikTok”, tha në një deklaratë kryetarja e komitetit, republikanja e Uashingtonit, Cathy McMorris Rodgers.

“Tani është koha për të vazhduar përpjekjet e komitetit për të mbajtur Big Tech përgjegjëse duke sjellë TikTok përpara komitetit për të ofruar përgjigje të plota dhe të ndershme për popullin”, shtoi ajo, transmeton Telegrafi.

Dëshmia e ardhshme e Chew u raportua fillimisht nga The Wall Street Journal.

TikTok nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Seanca dëgjimore e profilit të lartë nënvizon rrezikun politik në rritje për TikTok teksa negociatat e saj me qeverinë amerikane mbi një marrëveshje për sigurinë kombëtare vazhdojnë të zvarriten.

Zyrtarët amerikanë kanë ngritur shqetësime mbi atë se Kina mund t’i përdorë ligjet e saj për të bërë presion tek TikTok ose tek kompania e saj mëmë ByteDance, për t’i dorëzuar të dhënat e përdoruesve amerikanë e të cilat mund të përdoren për inteligjencë ose për qëllime të dezinformimit.

Këto shqetësime e kanë nxitur qeverinë amerikane që ta ndalojnë TikTok-un në pajisjet zyrtare, dhe sipas një analize të CNN më shumë se gjysma e shteteve të SHBA-së kanë marrë masat e njëjta.

Chew, i cili mori detyrën si drejtor ekzekutiv i TikTok në prill 2021, ka qëndruar kryesisht jashtë vëmendjes në një kohë kur aplikacioni që ai drejton duket se nuk mund ta shmangë një gjë të tillë.

Anëtarët e Kongresit më parë e kanë marrë në pyetje kryeshefen e TikTok, Vanessa Pappas, gjatë një seance dëgjimore në Senat vitin e kaluar.

Të ngjashme
Auto&Tech • 29 Maj 2024