Lajme
Drejtorët e Përparim Ramës shërbejnë në Prishtinë dhe bëjnë biznes në Tiranë, disa prej tyre janë në konflikt të interesit
Demokracia
11:01 | 23 Prill 2024

Share:

Mjaft të pasur po rezultojnë të jenë edhe drejtorët e Komunës së Prishtinës, të cilët janë nën autoritetin e Përparim Ramës. Pasuria e tyre edhe publikuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), shkruan Demokracia.com.

Drejtorët e Komunës së Prishtinës po bëjnë biznese edhe në Shqipëri.

Pozitat e disa prej tyre në biznese përbëjnë konflikte të interesit.

Vigan Kastrati është Drejtor i Administratës në KK të Prishtinës. Në rubrikën e parë të deklarimit të pasurisë, tek “Funksionet ose aktivitetet tjera që kryen zyrtari i lartë publik, krahas funksionit zyrtar”, ka shkruar se posedon aksione te kompania “Horeca” shpk. Funksioni i tij në këtë kompani ka shënuar se është i nivelit menaxherial.

Bazuar në faqen e regjistrimit të bizneseve të Shqipërisë “OpenCorporates.al”, kjo kompani është regjistruar në Tiranë në vitin 2017 dhe objektiv i kompanisë është “Punime hidraulike, instalime të ngrohjes dhe kondicionimit të ajrit. Instalime të tjera ndërtimore. Tregtia me shumicë e pajisjeve elektroshtëpiake. Tregtia me shumicë e pjesëve elektronike, pajisjeve hidraulike dhe të ngrohjes, si dhe pjesë të furnizimit”.

Pozita e menaxherit në një kompani private e zyrtarit të lartë është konflikt interesi, shkruan Demokracia.com.

Neni 13, paragrafi 1 dhe neni 14, paragrafi 1 i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, të cilët përcaktojnë se: “Zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridik privat, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe organizatave joqeveritare, përjashtuar subjektet e përcaktuara në nenin 14 të këtij ligji”.

Ai posedon 100 për qind të aksioneve edhe në dy biznese të tjera. Në “International Communication Service Group SH.P.K”, vlera e kapitalit është paraqitur 1,4 milionë euro, ndërsa tek N.T.SH. “PRISHTINA EVENTS MANAGEMENTS”, kapitali është zero. Po ashtu, dy biznese të tjera figurojnë në emrin e bashkëshortes së tij, njëri prej të cilëve është hapur në vitin e kaluar.

Gjithashtu, ka deklaruar se në vitin 2018 ka investuar 250 euro në kriptovaluta (ethereum), vlera e të cilave tash është paraqitur 17,600.00 euro.

Drejtori me biznes në Shqipëri hyn në kredi 143 mijë euro për ta paguar për 3 vjet

Krenar Xhaferi është Drejtor i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave. Ai ka deklaruar se ka aksione në dy institucione private dhe në një tjetër bashkëshortja e tij. Dy biznese janë paraqitur me emrin e njëjtë si “WBS LLC”, në të cilat ka shkruar se në njërën posedon aksione 33 për qind e në tjetrën 50 për qind. Njëra figuron se është e regjistruar në Kosovë dhe tjetra bazuar në deklarimin e të hyrave është e regjistruar në Shqipëri. Kjo, sepse Xhaferi ka deklaruar se nga “WBS LLC” ka pasur dividente nga Shqipëria në vitin e kaluar në vlerë prej 1000 eurove.

Nëse në deklarimin e pasurisë të hyrat kryesore për 2023 janë paraqitur 908 euro pagë mujore nga Komuna e Prishtinës, 1000 euro kthim nga fitimi i biznesit dhe 1,176.00 euro paga mujore e bashkëshortes, ai për 48 muaj (4 vite) do të paguajë një kredi në vlerë prej 143,000.00 eurove, për shtëpinë që e ka blerë më 30.04.2023 dhe kthimi i kredisë do të bëhet deri më 30.04.2027. Po ashtu, ai e ka një tjetër kredi deri në vitin 2025 në emrin e bashkëshortes, ku vlera e mbetur është edhe 3,212.42 euro.

Nëse shikohet vlera e të hyrave vjetore është shumë e vogël në krahasim me mundësinë e kthimit të kredisë prej 143 mijë eurove për 48 muaj. Kjo pasi të hyrat mujore së bashku më të bashkëshortes janë rreth 2000 euro në muaj, kurse kthimi i kredisë për 48 muaj, rezulton me një këst prej rreth 3000 euro në muaj.

Supermilioneri i emëruar para pak muajve që ndodhet në konflikt interesi

Pas prishjes së koalicionit, Përparim Rama në pozitën e Drejtorit të Shërbimeve Publike e ka vendosur një milioner. Bëhet fjalë për Bekim Brestovcin.

Drejtori i ri ka shkruar se posedon disa kompani dhe në tri prej tyre është drejtor menaxhues dhe në dy të tjera anëtar i bordit. Pozita e tij në këto pesë kompani përbën konflikt të interesit.

Bashkëpronar me 50 për qind të aksioneve është tek “B&D Verwaltung mbH”. 25 për qind të aksioneve i posedon tek “EPC-SH.P.K” dhe 50 për qind tek kompania “VEB – FACILITY MANAGEMENT SH.P.K”.

Te kompania “V&R Verwaltugsgesell schaft mbh” dhe te “BIMET LCC”, ai është anëtar i bordit.

Tek pasuria e luajtshme, Brestovci ka deklaruar se posedon lokale, banesa, shtëpi e toka.

Ka deklaruar tri shtëpi të përbashkëta, vlera e të cilave është 956 mijë euro. Po ashtu, ka deklaruar 6 banesa, 4 të përbashkëta e 2 në emrin e tij personal. Vlera e të gjithave është 666 mijë euro.

Ai ka deklaruar edhe një kafiteri të përbashkët në vlerë prej 240,000.00 euro, dy zyre në vlerë prej 240 mijë eurove, 4 ara në vlerë prej 381 mijë euro, tokë, truall dhe mal.

Para të gatshme në emrin e tij ka deklaruar 203 mijë euro, shkruan Demokracia.com.

Biznese me kapital nën 1000 euro kanë edhe Drejtoresha e Arsimit, Jehona Lushaku dhe Drejtori i Sportit, Bardh Krasniqi. Ky i fundit e ka hapur në vitin e kaluar “Trekuartista Printing SH.P.K”, ndërsa Lushaku në vitin 2021 “European Innovative Solutions”.

Nënkryetari Alban Zogaj është aksionar te kompania “ALPHA CONSULTING” dhe është mësimdhënës në dy institucione arsimore private, në kolegjin AAB dhe në Kolegjin Universum. Ai ka shënuar se është thellues i OJQ “Instituti Libertarian i Kosovës – LINK” dhe pozita e tij këtu është e nivelit jomenaxherial. Zogaj ka treguar se ka edhe kredi. /Demokracia.com/

Të ngjashme