Lajme
Drejtoresha e Radio Kosovës e afërt me pushtetin e ri, ambasadori Skënder Durmishi është bashkëshorti i saj
Demokracia
22:11 | 19 Shkurt 2022

Share:

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), në mbledhjen e sotme e ka aprovuar propozimin e U.D. Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekajt, për caktimin e Flora Masurica-Durmishi si U.D Drejtoreshë e Radio Kosovës.

Megjithatë, edhe u.d. drejtoresha e re e Radio Kosovës po rezulton të jetë e afërt me pushtetin e ri, pasi që Demokracia.com ka mësuar se ajo është bashkëshortja e ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishit, i cili qëndron si ambasador në Tiranë në mënyrë të paligjshme.

Përkundër që Ministria e Punëve të Jashtme e kishte ditur që diplomati Skënder Durmishi ishte çështje javësh kur do ta arrinte moshën e pensionimit, ai ishte emëruar Ambasador i Kosovës në Shqipëri dhe aktualisht po vazhdon të qëndrojë kundërligjshëm në këtë pozitë diplomatike.

Edhe pse në shumë shtete është e rregulluar me ligj çështja e pensionimit të diplomatëve, Kosova këtë e ka të rregulluar vetëm me Ligjin për Shërbyesit Civil.

Në nenin 3 të Ligjit për Shërbyesit Civil precizohet qartë që edhe personeli diplomatik dhe konsullor janë pjesë e shërbimit civil dhe i nënshtrohen legjislacionit në fuqi.

“Personeli diplomatik dhe konsullor, si dhe personeli administrativ i dërguar jashtë vendit ose i punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, është pjesë e Shërbimit Civil të Kosovës dhe i nënshtrohet këtij ligji dhe legjislacionit përkatës në fuqi”, shkruan në nenin 4 të Ligjit për Shërbyesit Civil, transmeton Demokracia.com.

Në të kaluarën ka me dhjetëra raste kur stafi diplomatik e ka përfunduar karrierën e vet me arritjen e moshës së pensionimit, por kështu nuk po ndodh edhe në Qeverinë Kurti.

Ish-ambasadori Avni Spahiu ishte kthyer nga shërbimi në Turqi për shkak të arritjes së moshës së pensionimit. Edhe ish-ambasadori i ndjerë, Rexhep Boja, ishte kthyer në Kosovë nga Mbretëria e Arabisë Saudite për shkak të moshës së pensionimit.

Njëjtë kishte ndodhur edhe me ish-ambasadorin Ramadan Gashi, i cili ishte kthyer nga Senegali, transmeton Demokracia.com.

Por, ndryshe nuk ishte vepruar as në rastin e ish-ambasadorit Muhamedin Kullashi, i cili e kishte përfunduar mandatin si ambasador në Francë sapo kishte arritur moshën e pensionimit.

Neni 90 i Ligjit për Shërbimin Civil, ndër të tjera, thotë që marrëdhënia e punës e nëpunësit civil përfundon me krijimin e kushteve dhe fakteve, pavarësisht nga dëshira e nëpunësit civil ose institucionit, kur nëpunësi civil arrin moshën e pensionimit.

Ndërsa, në nenin 91 të këtij ligji thuhet se mosha e pensionimit e nëpunësve civilë, si të gjinisë mashkullore, ashtu edhe të asaj femërore, është gjashtëdhjetepesë (65) vjeç.

Sipas këtij neni, nëpunësi civil informohet për përfundimin e punësimit, gjashtë muaj para datës së pensionimit, nga organi përgjegjës për menaxhimin e personelit të institucionit punëdhënës.

Në Shërbimin Civil të Kosovës mund të lejohet puna vullnetare pa pagesë e nëpunësve civilë pas pensionimit deri në moshën shtatëdhjetë (70) vjeçare, por kjo mënyrë e punës vullnetare rregullohet me Rregullore të nxjerrë nga Qeveria.

Ndërsa, tash përveç privilegjimit të Durmishit si ambasador në Tiranë, pushteti i ri e avancoi edhe bashkëshorten e tij.

Ahmetxhekaj e ka arsyetuar propozimin për Masurica-Durmishi kinse me kontributin e saj shumëvjeçar. /Demokracia.com/

Të ngjashme