Lajme
Drejtorë klinikash të pakënaqur me trajtimin nga drejtori i përgjithshëm, njëri jep dorëheqje
Demokracia
20:09 | 19 Nëntor 2023

Share:

Disa nga drejtorët e klinikave në SHSKUK kanë shprehur pakënaqësi me mënyrën se si trajtohen nëpër mbledhje e takime nga drejtori i përgjithshëm Elvir Azizi. Të paktën dy prej tyre i thanë KOHËS, nën kushtin e anonimitetit, se janë nënçmuar, ndërsa një drejtoreshë e ka ofruar dorëheqjen. E nga drejtoria e SHSKUK-së adresuan akuza në llogari të drejtoreshës së dorëhequr.

Drejtoresha e Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar, Mergime Prekazi-Loxha, ka dhënë dorëheqjen jo vetëm nga pozita e udhëheqëses së Klinikës, por edhe nga SHSKUK-ja.

Ndonëse Prekazi-Loxha dhe menaxhmenti i SHSKUK-së thanë se shkaku i dorëheqjes është i natyrës personale, se vendimit i parapriu një diskutim me drejtorin e përgjithshëm Elvir Azizi. Krahas saj, pakënaqësi me mënyrën e trajtimit nga drejtori nëpër mbledhje e takime i kanë shprehur KOHËS, nën kushte anonimiteti, edhe dy drejtorë të tjerë të klinikave.

E nga drejtoria kanë adresuan akuza ndaj drejtoreshës së dorëhequr.

“Drejtoresha e Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale, 4 muaj pas ardhjes së drejtorit të përgjithshëm të ri të SHSKUK-së, nuk ka marrë pjesë në asnjërin prej takimeve me drejtorët e klinikave edhe pse ishte e ftuar zyrtarisht, sikurse gjithë drejtorët e tjerë”, ka thënë Drejtoria e SHSKUK-së.

Në mbledhjen e fundit, në prani edhe të drejtorëve të tjerë, zëvendësit të Prekazi-Loxhës i është tërhequr vërejtja për mospjesëmarrjen e saj në takime, të cilat janë obliguese.

Nga SHSKUK-ja thanë se ajo ka shfrytëzuar më shumë se kushdo tjetër pushim pa pagesë e ajo këtë e ka bërë për shkaqe shëndetësore.

“E njëjta, nga menaxhmenti i kaluar, si drejtor klinike, ka shfrytëzuar pushim pa pagesë 6 muaj, që nuk ka ndodhur asnjëherë që një drejtor klinike të marrë pushim pa pagesë e që ka ndikuar në efikasitetin e punës në klinikë”, ka thënë SHSKUK-ja.

Ajo u mbajt indirekt përgjegjëse edhe për mosfunksionimin e sallave të operimit në Klinikë për pesë ditë të javës.

“Në takimin e fundit me drejtorin e përgjithshëm të SHSKUK-së i është kërkuar që të jetë e rregullt në takime dhe raportime të rregullta, si të gjithë drejtorët e tjerë, dhe të përgatisë planin e punës për vitin 2024, me theks të veçantë në aktivizimin e programit operativ në 5 ditë të javës, e jo siç është tani, 3 herë në javë. E njëjta, pas takimit me drejtorin e përgjithshëm ka paraqitur dorëheqjen me shkrim, për arsye personale dhe angazhimeve në Fakultetin e Mjekësisë”, ka thënë Drejtoria e SHSKUK-së.

Por në disa raste gjatë vitit, nga kjo drejtori konfirmuan se sallat operojnë vetëm tri herë në javë në mungesë të anesteziologëve. Për caktimin e anesteziologëve nëpër klinika përgjegjëse është Klinika e Anesteziologjisë. Lidhur me këtë KOHA i adresoi pyetje shtesë Drejtorisë së SHSKUK-së rreth llogarisë që iu kërkua drejtoreshës për çështjen.

“Përgjegjësia e saj nuk ka të bëjë me anesteziologët, meqë ata menaxhohen nga klinika përkatëse. Planet e punës për vitin 2024 kërkohen me qëllim të riorganizimit dhe shfrytëzimit optimal të resurseve njerëzore, atyre teknike, dhe janë bazë mbi të cilën krijohet një plan veprimi i përgjithshëm në nivel të QKUK-së”, ka thënë SHSKUK-ja.

Prekazi-Loxha nuk e ka komentuar takimin me drejtorin, porse tha që në dorëheqje e kanë shtyrë arsyet personale.

“Arsyet e dorëheqjes sime janë personale, ashtu edhe e kam cekur në kërkesën për dorëheqje”, ka thënë Prekazi-Loxha.

E në pyetjet rreth ankesave të edhe dy drejtorëve të tjerë mbi mënyrën e trajtimit nga drejtori i përgjithshëm Azizi, nga SHSKUK-ja nuk kanë kthyer përgjigje.

Të ngjashme