Lajme
Dy fytyrat e drejtësisë në Hagë, rasti i Haxhiut e Morinës dhe rasti i Gucatit e Haradinajt
Demokracia
20:40 | 24 Maj 2022

Share:

Tribunali i Hagës kishte ngritur akuza ndaj ish-gazetarëve Baton Haxhiu e Bajrush Morina dhe ish-ministrit Astrit Haraqija. Edhe Morina asokohe ishte punonjës i MKRS-së.

Më 24 korrik të vitit 2008, Gjykata e Tribunalit të Hagës kishte dënuar gazetarin Baton Haxhiu me 7 mijë euro për mosrespektim të gjykatës, pasi që më 24 dhjetor të vitit 2007 kishte zbuluar një dëshmitar të mbrojtur, i cili po dëshmonte në procesin e Ramush Haradinajt dhe të tjerëve, shkruan Demokracia.com.

Sipas akuzës, Haxhiu kishte pasur njohuri rreth identitetit të dëshmitarit dhe më pas e kishte publikuar në mediumin e tij.

Po ashtu, sipas aktakuzës, Haraqija dhe Morina ishin përpjekur të kërcënonin një dëshmitar të mbrojtur të procesit, i cili pritej të dëshmonte kundër Haradinajt.

Dëshmitari me emrin Nafiz Ramabaja, i cili gjendej në atë kohë në Suedi, thuhej se ishte një person i njohur i tyre.

Prokuroria e Tribunalit të Hagës kishte kërkuar që Baton Haxhiu të dënohej më 15 mijë euro, por ai u shpall fajtor dhe u dënua vetëm me gjobë prej 7 mijë euro.

Tribunali kishte ngritur padi më 1 prill të vitit 2008.

Ai ishte dënua për “mospërfillje të Gjykatës dhe rrezikim të sigurisë së dëshmitarit dhe familjes së tij”.

Në muajin prill të vitit 2008, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura kundër tij nga Gjykata e Hagës.

Por, pse u dënuan me burg dy krerët e OVL-UÇK-së?

Ndryshe nga Baton Haxhiu, që ishte dënuar nga Tribunali i Hagës vetëm më një gjobë për shkak të publikimit të identitetit të dëshmitarit, Gjykata Speciale në Hagë veproi ndryshe, ku Dhomat e Specializuara shpallën fajtorë kryetarin e OVL UÇK-së Hysni Gucatin dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh, shkruan Demokracia.com.

Gucati dhe Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, pengim të personave zyrtarë përmes pjesëmarrjes në grupe, frikësim gjatë procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të informacionit të fshehtë dhe shkelje nëpërmjet zbulimit të identitetit dhe informacioneve për dëshmitarët e mbrojtur.

Gucati dhe Haradinaj u shpallën të pafajshëm për pikën 4 të akuzës, që kishte të bënte me hakmarrje.

Si rrodhi gjykimi i tyre?

Që nga fillimi i gjykimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt ishin paraqitur 14 dëshmitarë.

Katër janë propozuar nga ZPS-ja, gjashtë nga Hysni Gucati, katër nga Nasim Haradinaj. Numri i dëshmive me shkrim ka qenë 18 dëshmitarë, ndërsa 12 dëshmitarë janë propozuar nga mbrojtja e Gucatit dhe 6 nga mbrojtja e Haradinajt, shkruan Demokracia.com.

Në këtë proces gjyqësor kanë dëshmuar gazetarë, punonjës të zyrës qendrore të OVL-UÇK-së dhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, si dhe zyrtarë të ZPS-së dhe të Dhomave të Specializuara.

Si prova kryesore në këtë rast janë paraqitur video-incizimet e zyrës së OVL-UÇK-së, në të cilat Gucati e Haradinaj shihen duke mbajtur konferenca për media dhe duke prezantuar, siç është thënë, dokumente konfidenciale para gazetarëve. Në disa raste, ata akuzohen se kanë dhënë informacione tejet të ndjeshme për dëshmitarë të mbrojtur. /Demokracia.com/

Të ngjashme