Vendosja e tarifave doganore nga Presidenti Trump më 2 prill ishte goditja tjetër e madhe e shtyllës së tretë të rendit botëror – globalizmit dhe tregtisë së lirë. Ky rend i krijuar mbas Luftës së II Botërore mbështetet në triptikun domethënës gjeopolitik: forcën e të drejtës mbi të drejtën e forcës, zhvillimin e diplomacisë shumëpalëshe mbi bazën e organizatave dhe konventave ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të krizave dhe konflikteve të armatosura dhe forcimin/ diversifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar pa pengesa tarifore/teknike.
Rikujtojmë se për realizimin e dy shtyllave të para u krijuan OKB-ja, Banka Botërore, FMN-ja, FAO, OBT-ja, OBSH-ja, UNESCO, BE, NATO dhe grupime të shumta rajonale. Me gjithë mungesat dhe mangësitë e njohura, kritikat dhe nevojën e riparimeve/ përmirësimeve të rastit, ky rend botëror ka treguar bindshëm se funksionon më mirë se çdo alternativë tjetër në të tre këto komponentë kryesorë. Mirëpo, mbas 21 janarit 2025 po instalohet rend një botë tjetër, sipas parimit “secili kundër secilit”; SHBA-të po heqin dorë nga roli i tyre si “xhandar ndërkombëtar dhe mburojë e aleancës perëndimore si dhe nga organizatat shumëpalëshe, përfshirë dhe OSBE-në me tri shtyllat e saj të ngjashme. Sipas doktrinës së re amerikane, shtetet më të dobëta dhe më të vogla duhet t’i përulen vullnetit, qoftë edhe absurd të vendeve më të mëdha dhe më të fuqishme. Bëhet fjalë për një botë ku ashtu si deri më 1945, çdo ide dhe apel me frymëzim moral në politikën e jashtme cilësohet si dobësi e më të dobëtit, ndërsa ushtrimi amoral i forcës nga një fuqi e madhe nderohet si virtyt i më të fortit.
Për pasojë, kjo politikë dhe rendi ri që po përvijohet tanimë me kontributin amerikan përfaqëson një rikthim në “sferën e influencave”, që mbizotëroi deri në shembjen e Murit të Berlinit, ribashkimin europian dhe në këto 35 vitet e fundit. Këtë dukuri ogurzezë e qortoi me zë të lartë më 6 prill në intervistën e tij në televizionin gjerman edhe ish-ministri i Jashtëm, legjenda e Të Gjelbërve gjermanë, Joschka Fisher: “Vëllai ynë i madh në anën tjetër të Atlantikut është ndarë nga vlerat tona dhe ka kaluar në kampin e regjimeve autoritare, të cilat po kërcënojnë Europën”. Mbi këtë bazë, autori i shquar “best seller” amerikan, James Kirchick, paralajmëron me shqetësim se: “Presidenca Trump përbën një ndryshim epokal po aq, ose dhe më të madh se shembja e Murit të Berlinit dhe 11 shtatori 2001”! Ndërkohë, qëndrimet skeptike dhe kundërshtuese të Presidentit Trump ndaj rendit ekzistues ndërkombëtar nuk janë të reja, ato datojnë gati 4 dekada më parë. Kur në një shkrim për tri gazeta të mëdha amerikane në vitin 1987, Trump fshikulloi ashpër angazhimin amerikan në mbrojtjen e demokracive perëndimore duke thënë: “Ka dekada që Japonia dhe vende të tjera po përfitojnë nga SHBA-të. Përse këto vende nuk po paguajnë SHBA-të për jetët njerëzore dhe miliarda dollarë të shpenzuara për mbrojtjen e interesave të tyre? Bota po tallet me politikanët tanë…”. Këtë qëndrim ai e përsëriti dhe në fjalën që mbajti në ceremoninë e inaugurimit të tij të dytë si President më 20 janar 2025 dhe ditët e fundit kur foli për plaçkitje, shfrytëzim dhe abuzim ekonomik të SHBA-ve nga Europa dhe të tjerët.
Këtu Trump kopjon ish-Presidentin Andrew Jacksons në vitet 1829–1837, i cili shquhej për nacionalizëm dhe mosbesim ndaj institucioneve ndërkombëtare. Dhe më shumë gjurmë ka lënë te Trump Pat Buchanan, ish-fjalimshkruesi i Niksonit dhe kandidat republikan presidencial para 30 vitesh, i cili kishte shpallur tri parime të ngjashme: Anti-Imigracionin, Anti-Intervencionin dhe proteksionizmin tregtar, tamam këtë trinom të zhvleftësuar po zbaton sot edhe Presidenti Trump. Gjithçka përmendëm më sipër del akoma më qartë me goditjet asgjësuese të Presidentit Trump kundër shtyllës së tretë të rendit të sotëm ndërkombëtar – globalizmit dhe tregtisë së lirë, e cila është motori i ekonomisë botërore, me vendosjen e tarifave të ashpra dhe absurde. Por siç pohon eseisti i njohur amerikan, Michael Lind, “pavarësisht inkoherencave, Presidenti amerikan ka qenë konstant në kritikat e tij ndaj aleatëve europianë lidhur me shkëmbimin e lirë të mallrave, duke i quajtur ata “plaçkitës, shfrytëzues, abuzues dhe parazitë”. Por prapë, “bomba bërthamore tarifore” e Presidentit Trump shkon shumë më larg në histori.
Ajo është pak a shumë kopje e Aktit Tarifor të kongresmenëve Smoot & Hawley i datës 17 qershor 1930, kur SHBA-të, me gjithë kundërshtimet e shumta nga ekspertët dhe afaristët e tregjeve vendosën tarifa të ashpra doganore mbi 20.000 mallra importi. Madje, tregojnë se vetë Henry Ford i shkoi në zyrë Presidentit Hoover, duke i kërkuar të mos e dekretonte ligjin, mirëpo ai ishte premtim zgjedhor dhe Hoover e miratoi. Dihet se ai akt ligjor jo vetëm nuk dha asnjë rezultat, por e rëndoi edhe më shumë Depresionin e Madh Ekonomik të vitit 1929–1930. Si pasojë e tarifave hakmarrëse nga vendet e tjera, prodhimi dhe eksportet amerikane ranë 60 për qind, papunësia u rrit ndjeshëm etj.. Gjithashtu, Trump po kopjon politikën nacionaliste të ishPresidentit Nikson, i cili në vitin 1971, për të justifikuar shpenzimet kolosale të luftës në Vietnam, anuloi barazimin e dollarit me ar, të fiksuar nga vetë SHBA-të në Marrëveshjen e Breton Woods. Siç kujton historiani Jeffrey Garten, sekretari i Thesarit i Nikson, John Connally, “nuk hezitoi të bënte atë që ai mendonte si në të mirën për SHBA-të. Ai ishte gati ta nxirrte në ankand gjithë botën dhe Niksoni e dinte këtë”. Më vonë, në vitet ‘90, nacionalizmin ekonomik e përqafoi miliarderi Ross Perot, që nuk e donte Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Amerikën e Veriut, e cila u mundësonte konstruktorëve të automobilave amerikanë të transferonin prodhimin e tyre drejt Meksikës, ku pagat ishin më të ulëta dhe sindikatat të dobëta. Ai akuzonte prodhuesit e tjerë se po u “shponin xhepat” amerikanëve dhe premtoi se po të zgjidhej President, ai do t’i kërkonte Japonisë dhe Gjermanisë të kompensonin SHBA-të me 50 miliardë dollarë për shpenzimet e mbrojtjes së tyre.
Pas disfatës së tij në zgjedhjet e vitit 1992 dhe 1996, nacionalizmi ekonomik u konsiderua doktrinë e të kaluarës, të cilës vazhduan t’i besonin vetëm disa figura të së djathtës si Pat Buchanan, ishkëshilltar politik i Niksonit dhe tani Trump. E keqja tjetër e madhe në këtë pikë është se çështja e tarifave amerikane mund të trajtohej, si deri tani vonë, në forumet përkatëse ndërkombëtare dhe posaçërisht në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) me seli në Gjenevë; ajo u krijua me nismën dhe mbështetjen amerikane në vitin 1947 si “Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tregtinë dhe Tarifat (GATT) dhe nga viti 1995 njihet si Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) me 166 vende anëtare dhe 20 vëzhguese, ku Shqipëria u anëtarësua më 8 shtator 2000. Misioni i saj themelor është qeverisja botërore e tregtisë së jashtme, zhvillimi i tregtisë së lirë dhe shërbimeve pa pengesa tarifore dhe teknike dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve të ndryshme. Falë OBT-së dhe shkëmbimit të lirë të mallrave ka disa tregues pozitive, sidomos për vendet më të varfra. Gjatë periudhës së viteve 1995–2023, varfëria në ato vende me të ardhura ditore 2,15 dollarë për frymë u ul në 9 nga 36 për qind. Dhe në SHBA, gjatë të njëjtës periudhë ekonomia shënoi një rritje 275 për qind!
Në fakt, konflikte dhe luftëra të pjesshme tregtare midis SHBA-ve dhe BE-së, Japonisë etj., sidomos për çeliqet, tekstilet, produktet bujqësore etj. ka pasur dhe gjatë 50 viteve të fundit. Por, ato janë zgjidhur në mënyrë dypalëshe dhe falë OBTsë me mirëkuptim dhe kompromise, ku të gjithë dalin të fituar (win-win situation). Sipas ekspertëve, tri synimet kryesore të Trump me këto me këto tarifa do të dështojnë, sepse bien në kundërshtim me logjikën dhe praktikat e deritanishme të tregtisë së lirë. Lidhur me këto tre objektiva, eksperti gjerman, Volke Wieland thotë se “balancimi absolut i eksport-importit amerikan me çdo vend është pa kuptim, se ndryshe ajo nuk do të përfitonte dot nga ndarja e punës”. Së dyti, tarifat nuk do të nxitin prodhimin vendës, sepse në kushtet e një industrie të dobësuar, ai do të tkurret dhe do të bjerë më tej, si pasojë e tarifave, por edhe e deficiteve që po krijohen për punë të kualifikuara mbas shkurtimeve në shkencë, arsim, IT etj.. Edhe investitorët e huaj do të ngurojnë të shkojnë në SHBA për shkak të paqartësive dhe paparashikueshmërisë atje, faktor përcaktues për investimet.
Ndërsa ekspertja tjetër ekonomike, Samira Sulan thotë: “ Nuk është as gabim dhe as problem që SHBA i ka importet më të mëdha se eksportet e saj. Kjo tregon se ajo ka aftësi paguese, vlera dhe investime kapitale të mjaftueshme”. Ja pse tarifat e vendosura ditët e fundit kanë shtangur edhe vetë fansat e Trumpit, adhuruesit e tij, kongresmenë dhe senatorë republikanë, profesorët dhe ekspertët më të shquar të së drejtës tregtare, sepse janë pa kuptim dhe me pasoja të paparashikueshme për ekonominë botërore dhe për vetë SHBA-të, janë “fundi i globalizmit” siç pohon Prof. Veronika Grimn. Mirëpo tani, kjo po ndodh edhe pas Kinës, edhe BE-ja ka paralajmëruar se nëse nuk arrihet dot gjë me konsultime, siç ndodhi dhe me propozimin e saj për “zero tarifa për mallrat industriale”, ajo do të ndërtojë “një paradigmë të re të tregtisë botërore”, siç ka sugjeruar këto ditë zoti Sefkovic, Komisioneri i BE-së për tregtinë dhe do të hakmerret me masa të rrepta ndëshkuese.
Ama me një katalog tejet të gjerë, të larmishëm dhe të frikshëm për SHBA-të, të cilat rrezikohet të “dalin me këpucë të kuqe” nga e ashtuquajtura WW FEE (Lufta Botërore e Tarifave), siç përdoret ky term për analogji me Luftën e Tretë Botërore. Veç sa më sipër, kjo lëvizje tektonike nga BE-ja, grupimi më i madh ekonomik dhe tregtar në botë mund të shoqërohet me forma të tjera ndëshkuese si bojkot të mallrave dhe shërbimeve amerikane, me rënie të investimeve të huaja në SHBA, për shkak të pasigurive të vazhdueshme, me rritje të çmimeve dhe inflacionit ose “stagnacion” siç njihet në gjuhën financiare në tregun amerikan, shtrenjtimin e kostos së jetesës dhe mosmbajtjen e premtimeve të Presidentit Trump; më tej, kjo embargo anti-Trump mund të vijojë, siç edhe ka nisur me largimin e turistëve nga Amerika, për të mos folur për dëmet e mëdha të imazhit mbi SHBA-të si kampione e demokracisë, e globalizmit dhe tregtisë së lirë. Për pasojë, tarifat amerikane jo vetëm nuk do të jenë “çlirimi i dytë”, por ato ka shumë të ngjarë të kthehen në një boomerang ose dhe vetëvrasje politike, ekonomike dhe financiare për SHBAtë.
Shenjat e alarmit po jepen, duke filluar nga krisjet dhe tërmetet në bursat botërore, rritja e mundësisë për recesion ekonomik nga 20 për qind në 35 për qind, sipas sondazheve të “Gold& Sachs” dhe kështu me radhë. Tanimë po “bërtasin” fort dhe ekspertët më të shquar ekonomikë dhe mbështetës të Trump, duke filluar nga Elon Musk. Ish-kryekonomisti i FMN-së, profesori i shquar i Harvardit, Kenneth Rogoff e thotë troç se “ky është eksperimenti më i keq ekonomik pas Luftës së II Botërore”. Edhe kryemenaxheri i Fondeve Federale të Investimeve amerikane, miliarderi Ackman i ka denoncuar ashpër, duke deklaruar se “me këto tarifa Trump po shkon drejt një ‘lufte atomike’ me çdo vend të botës, se ky është gabimi më i madh që vjen nga një aritmetikë e keqe politike”. Për pasojë, Amerika e para rrezikon të kthehet në “Amerika e vetmuar” për të cilën askush nuk ka votuar në SHBA.