Lajme
Drejt n’shtrenjtë| Krizat në qeverisjen e Albin Kurtit ua vështirësojnë jetën qytetarëve
Demokracia
18:48 | 10 Mars 2022

Share:

Me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit, erdhën edhe krizat.

Kriza energjetike, rritja enorme e çmimeve dhe shtrenjtimi i naftës e kanë përcjell vazhdimisht qeverisjen e Albin Kurtit.

Krejt këto kanë bërë që jeta e qytetarëve të Kosovës të vështirësohet tej mase shumë, shkruan Demokracia.com.

Vala e rritjes së çmimeve erdhi si “cunam” në tregjet globale këtë vit, por në vendet si Kosova, ku mundësitë për t’i amortizuar efektet janë të pakta dhe konsumi është i bazuar në import, goditjet janë më të ashpra, si në buxhetet e konsumatorëve dhe ato të kompanive.

Ndonëse të gjitha çmimet janë rritur, pagat e qytetarëve të Kosovës kanë mbetur ato që kanë qenë. Madje edhe premtimet për rritjen e pagës minimale nuk janë realizuar.

Propozimi për pagë minimale në vlerë të 264 eurosh në muaj ka dështuar të miratohet në Këshillin Ekonomik Social, ka njoftuar ministri Hekuran Murati.

Murati ka thënë se KES ka propozuar pagë minimale prej 240 eurosh në muaj, ndërsa Qeveria ka propozuar 1.5 euro për orë apo 264 euro në muaj.

Sipas Muratit, propozimi nuk i ka marrë votat e nevojshme për shkak të mosmbështetjes nga përfaqësuesit e sindikatave.

“Kundërshtimi nga ana e sindikatave nuk ka kuptim dhe nuk mund të spjegohet meqenëse asnjë nga punëtorët që ata përfaqësojnë nuk preket nga paga minimale, për shkak se pagat e tyre janë dukshëm mbi nivelin e pagës minimale. Krejt çka arrihet me këtë mos-votim është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro”, ka shkruar Murati në Facebook.

Javë më parë, kryeministri Albin Kurti është zotuar se ka nisur punën për rritjen e pagës minimale.

“Filloi puna drejt rritjes së pagës minimale, drejt përmbushjes së një tjetër zotimi. Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme. Ende pa i mbushur një vit në qeverisje, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale”, kishte njoftuar Kurti.

E në krejt këtë “gjullurdi”, Albin Kurti më shumë po sillet si spektator. Ai ka thënë se kjo nuk është shkaktuar nga Qeveria, por që kriza prek edhe Kosovën.

Kurti ka thënë se e kupton shqetësimin e qytetarëve, por që Qeveria nuk vendosë çmime.

“E kuptoj shqetësimin edhe pse kjo gjë nuk është shkaktuar nga ne, por na prek edhe neve. Kur para 13 ditëve iu bashkuam botës për t’i vënë sanksione Rusisë, kundër një agresori, atëherë kjo na prek edhe ne dhe çmimet e produkteve, pasi ne jemi drejtpërdrejt të varur nga eksporti i energjisë elektrike dhe të tjera. Krizat na prekin të gjithëve, por jo të gjithëve njësoj”, ka thënë kryeministri Kurti, përcjell Demokracia.com.

Sipas tij, në këtë situatë duhet bërë përpjekje që të ndalet manipulimi në emër të krizës.

“Çmimet nuk i vendosë Qeveria, aq më pak unë. Ajo që mund të kontrollojmë e do të ndalojmë është manipulimi në emër të krizës, prandaj do të rritet kontrolli dhe mbikëqyrja”, tha ai gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Madje, sipas Kurtit, kjo është “kostoja që duhet paguar për mbrojtjen e lirisë”, duke iu referuar sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë.

1. Shtrenjtimi i çmimit të energjisë
Shqetësimet të mëdha u shkaktoi qytetarëve shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike.

Një muaj më parë, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) miratoi vendimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiakë që shpenzojnë rrymë mbi 800 kilovat.

Kryetari i Bordit të ZRrE-së tha se në bazë të kalkulimeve për konsumatorët që shpenzojnë deri 1000 kilovat, shtrenjtimi do të jetë rreth 10 euro.

2. Rritja e çmimit të naftës

Por, nuk mjaftoi shtrenjtimi i energjisë elektrike në ditët më të ftohta të vitit kur kosovarëve iu shtrenjtua edhe çmimi i naftës.

Shtrenjtimi i derivateve nuk ka të ndalur në Kosovë. Çmimi i naftës dhe benzinës është duke u rritur për çdo ditë nga 8 deri në 10 centë.

Një krizë e tillë ka goditur edhe ekonominë e Kosovës, duke sjell shtrenjtim të produkteve të ndryshme, sidomos në derivate që po shtrenjtohen vazhdimisht.

Çmimet e karburanteve tashmë kanë arritur në 1 euro e 75 centë, por paralajmërohet se një litër naftë do të shkojë në 1.80 centë dhe në 2 euro.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale tregtare me shumicë dhe pakicë. Këtë vendim, Qeveria thotë se e ka marrë për mbrojtjen e konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve, përcjell Demokracia.com.

Sipas vendimit të Qeverisë obligohen të gjitha deponitë e pikat e shitjes së naftës të mbajnë në çdo kohë në stoqe së paku 5 për qind të kapaciteteve të tyre deponuese për qëllime të rezervave emergjente.

Në tërë këtë krizë, Qeveria ka marrë vendim që të subvencionojë edhe çmimin e naftës për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro.

Sipas Kurtit, nafta për bujqit do të jetë pa akcizë, pra e subvencionuar me 36 centë për litër.

3.Shtrenjtimi i produkteve kryesore të jetesës

E ditëve të fundit, qytetarët e Kosovës po përballen me rritjen më të madhe të çmimeve. Çmimet e vajit, sheqerit, bulmetit dhe vezëve u rritën me shpejtësi këtë vit. Rritjen më të lartë në harkun kohor të një viti e pati çmimi i një litri vaj, duke arritur deri në 3.49 centë.

Shtrenjtim ka pësuar edhe mielli, shkruan Demokracia.com.

Nga frika e një shtrenjtimi tjetër, qytetarët kanë mësyrë marketet duke u furnizuar me miell, vaj e gjëra të tjera elementare për jetesë.

Krahas rritjes së çmimeve të produkteve bazike në Kosovë gjatë vitit 2021 është vërejtur edhe një rritje e indeksit vjetor tek inputet bujqësore.

Në bazë të një raporti të publikuar në fillim të muajit mars nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), titulluar “Indeksi i Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi, 2015-2021 (2015=100)”, thuhet se në vitin 2021, indeksi vjetor i çmimeve të inputeve bujqësore (Input 1) ka rritje për 11.5 për qind për mallra dhe shërbime aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 2), krahasuar me vitin 2020.

Kurse, indeksi për mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi ka rritje për 5 për qind në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020.

Ndërkohë, krahasuar me vitin 2020, gjatë vitit 2021 indeksi vjetor i çmimeve të inputit të përgjithshëm (Input 1+Input 2) ka rritje për 8.3 për qind.

Nëse e krahasojmë me vitin 2015, indeksi vjetor i çmimeve të inputeve bujqësore ka rritje për 3.1 për qind për Input 1 dhe për Input 2 ka rritje për 16.8 për qind në vitin 2021.

Ndërkaq, indeksi vjetor i çmimeve për inputin e përgjithshëm (Input 1 + Input 2) ka rritje për 9.2 për qind, krahasuar me vitin 2015.

Në anën tjetër, në raport theksohet se produktet që përbëjnë bazën për Indeksin e Çmimit të Inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2).

Brenda grupit të mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, siç thuhet në raport, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji, vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra e shërbime të tjera.

Sa i përket mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesat dhe të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punët e tjera përveç përmirësimit të tokës).

“Ky publikim është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe në vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK”./Demokracia.com/

Të ngjashme