Kryetari i Komisionit për Kosovë në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka qenë i ftuar sot në emisionin e mëngjesit në TV Pink. Drecun tha se shqiptarët po armatosen që ta marrin me dhunë veriun e Kosovës, ani pse siç e thotë edhe vetë Drecun, veriu është i Kosovës.
“Ata duan ta shfrytëzojnë rastin me Ukrainën që të marrin sa më shumë aramatim që të përgatiten për çështjen kyçe, e ajo është marrja e dhunshme e veriut të Kosovës. Atyre nuk u nevojitet ky armatim i rëndë për të dëbuar serbët atje, mirëpo Serbia këtë nuk do të lejojë, e atëherë do t’u nevojitej ky armatim”, ka thënë Drecun.
Tutje, ai tha se armatimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës që kanë hyrë në vitin e katërt të tranzicionit, po planifikohet dhe po bëhet në mënyrë sistematike, ndërsa rolin më të madh e kanë SHBA-ja dhe Britania e Madhe, si dhe Turqia e Gjermania.
“Për shkak të situatës në Ukrainë, ka filluar transformimi i përshpejtuar i të ashtuquajturës Forcë e Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës”, thotë Milovan Drecun.
Duke folur për rolin e Britanisë së Madhe në këtë proces dhe politikën e saj në Ballkan së fundmi, ai tha se pas daljes nga Bashkimi Evropian, ky vend po përpiqet të pozicionohet si një faktor domethënës jo vetëm në Evropë, por edhe në botë, ndërsa tha se Britania e bën këtë me përkrahjen apo duke e përdorur SHBA-në për qëllimet e veta, transmeton Nacionale.
“Ndër të tjera, këtë duan ta bëjnë në Ballkan. Para së gjithash t’i shkaktojnë sa më shumë dëme Republikës Srpska dhe Serbisë kur është fjala për Kosovën. Roli i tyre negativ në sulmin ndaj interesave tona kombëtare është evident dhe do të vazhdojë, si përmes aktiviteteve publike ashtu edhe prapaskenave”, tha Milovan Drecun.
Ai vuri në dukje se tani, për shkak të situatës në Ukrainë, ka filluar transformimi i përshpejtuar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe se përveç mjeteve të rregullta buxhetore për blerjen e armëve, është themeluar edhe një fond për grumbullimin e parave nga diaspora dhe të gjithë shqiptarët.
Sipas vlerësimit të Drecun, qëllimi i sigurimit të armëve, i cili përfshin blerjen e helikopterëve, obuseve, mortajave, dronëve zbulues, është pushtimi i dhunshëm i veriut të Kosovës.