Lajme
Drecun: 48 kompani serbe në Kosovë kërcënohen të mbyllen sepse në emërtimin e tyre shkruan Serbia
Demokracia
10:55 | 07 Gusht 2023

Share:

Kryetari i të ashtuquajturit komision serb për Kosovën, Millovan Drecun, ka thënë se ngjarjet e fundit në Kosovë tregojnë se “po ushtrohet presion i vazhdueshëm ndaj pakicës serbe për t’i bërë të ditur njerëzve se nuk janë të mirëpritur të jetojnë atje”, raporton portali serb “kosovoonline”.

Drecun ka thënë për televizionin serb “TV Pink” se “po ndodhin gjëra dhe po zbatohen masa që ia vështirësojnë jetën popullit serb në Kosovë dhe se po krijohet një situatë e pashpresë për serbët”.

Sipas tij, gjatë gjithë kësaj kohe Albin Kurti “ka përhapur historinë për gjoja deeskalim, duke përmendur njëfarë iniciative qytetare për zëvendësimin e kryetarëve të komunave” dhe e gjithë kjo, pretendon ai, është “falsifikim i këtij deeskalimi”, transmeton Paparaci.

“Nën maskën e deeskalimit, i cili në asnjë mënyrë nuk mund të karakterizohet si situatë që do të çojë në qetësimin e krizës aktuale në veri të Kosovës, Kurti po ndërmerr veprime të njëanshme që paraqesin vazhdimin e terrorizimit dhe presionit të tmerrshëm mbi popullin serb”, pretendon Millovan Drecun, ish-propaganduesi i kriminelit serb Sllobodan Millosheviq, aktualisht në shërbim të Vuçiqit.

Ai ka thënë se “po kryhen arrestime me baza të ndryshme dhe se kamionët me mallra serbe nga Serbia nuk lejohen të hyjnë në Kosovë, gjë që e bën të pamundur furnizimin e rregullt të popullit serb me ushqime dhe barna”.

Ai ka shtuar se “48 kompani serbe kërcënohen me ndalim të punës sepse në emrat e tyre kanë emërtimet Serbia ose Kosova e Metohia”.

Sipas tij, këtu para së gjithash sulmohet MTS, i cili i pengon shumë autoritetet e Prishtinës, sepse në sistemin e saj kabllor ka 30 mijë abonentë, të cilët, janë serb të cilët informohen në mënyrë “korrekte”.

“Kur dikush dëshiron të nënshtrojë një komunitet dhe një popull, në radhë të parë dëshiron t’i dezinformojë dhe të shpërndajë informacione që i përgjigjen palës që e bën këtë”, shpalon eksperiencën e tij ish-eksperti Millosheviqit për propagandë.

“Tani duan ta anulojnë MTS-në dhe ta pamundësojnë popullin serb që të shikojë televizionin tonë”, ka shtuar Drecun dhe ka përkujtuar se Telekom Srbija është komunikimi i vetëm për komunitetin serb në veri të Kosovës.

Të ngjashme