Lajme
“Dramë populliste”, Abdixhiku e quan “kthim të marrëveshjes së njëjtë” ujdinë në Bruksel
Demokracia
10:49 | 24 Nëntor 2022

Share:

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar ujdinë e arritur në Bruksel nga ana e liderëve institucionalë kosovarë si “kthim dhe pranim të marrëveshjes së njëjtë”.

Kështu ka deklaruar Abdixhiku përmes një postimi në ‘Facebook’, teksa masat e vendosura nga Qeveria Kurti dhe injorimi i kërkesave të SHBA-së dhe BE-së javët e kaluara i ka quajtur si “dramë populliste”, shkruan lajmi.net.

Postimi i plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson dakordimin e mbrëmshëm, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe më mbështetjen e ShBA-ve.
Siç edhe kemi theksuar në vazhdimësi, rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkërendimi i ngushtë dhe i përhershëm me partnerët strategjikë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për Kosovën dhe të ardhmen euroatlantike të saj, stabiliteti politik dhe siguria janë parakushte esenciale, ndërsa bashkëpunimi i përgjegjshëm ndërkombëtar garanton shtyrjen përpara të interesave nacionale të Republikës së Kosovës.

LDK-ja e ka parë si tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme gjithë dramën populliste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore. Kjo sjellje, përveç se ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe shtetet mike, për të cilat Kosova ka nevojë, ka bllokuar dhe proceset kryesore integruese të vendit.

LDK-ja u bën thirrje institucioneve të vendit që të jenë transparente për procesin e dialogut politik, nëpërmjet raportimit në Kuvend përpara përfaqësuesve të zgjedhur. Deklarimet e fundit të kryeministrit, përveç se kontradiktore, janë dhe tepër të paqarta, së këndejmi, ato krijojnë pasiguri në lidhje me drejtimin e këtij procesi jetik për Kosovën. /Demokracia.com/

Të ngjashme