COVID-19KosovaSot:6Të gjitha:272,051|Bota 621,975,762
Lajme
Drama e “ndërrimit të foshnjave” në QKUK, rrëfimi i babait që ia treguan të gjallë “djalin”, më pas i thanë të ka vdekur vajza
Demokracia
23:23 | 22 Shtator 2022

Share:

Në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK mbrëmjen e së mërkurës ka ndodhur një ngjarje e rëndë. Një familje fillimisht është informuar se familjarja e tyre ka lindur me sukses një djalë, kurse pas rreth gjysmë ore, familja është njoftuar se u ka vdekur vajza. Babai i foshnjës ka folur për RTV Dukagjinin, ku ka rrëfyer se si ka ndodhur e gjithë ngjarja.

Fatlum Alimi mbrëmjen e së mërkurës përjetoi një ngjarje të rëndë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.

Foshnja të cilën ishte duke e pritur, nuk ka mbijetuar dhe ka vdekur gjatë procesit të lindjes që gruaja e tij e kishte me prerje cezariane.

Këtë ngjarje, Alimi rrëfen se e ka bërë më të rëndë fakti se personeli i Gjinekologjisë fillimisht e njoftoi familjen se tyre se u ka lindur me sukses një djalë.

“Njëherë më thanë djalë e ki dhe ma kanë qitë përpara. E shiqova beben dhe ishte mirë. Kam dëshmitarë për këtë. Pas gjysmë ore erdhi doktoresha dhe tha ka ndërrua jetë fëmija. Atëherë ma humbi kontrollin. E kam humbë krejt kontrollin”, ka thënë Alimi.

Alimi thotë se përgjatë disa kontrolleve që gruaja e tij i kishte bërë më parë, ai e kishte ditur që është duke pritur vajzë.

Megjithatë, ai thotë se mjekët në gjinekologji pak ditë para lindjes së gruas, i kanë thënë se sipas kontrolleve të tyre është duke pritur djalë dhe jo vajzë.

Kjo ia shtoi atij bindjen, se gruaja e tij vërtetë e kishte kaluar me sukses lindjen.

“Kur e kam pasur në kontrolle në Fushë Kosovë, më kanë thënë se e kam vajzë. Kur e kam sjellë këtu për me u shtri në spital më kanë thënë “e ke djalë”. Ende pa lindë fëmija, këta e kanë bërë njëfarë kontrolle, pastaj i kanë treguar nuses se djalë e ke. Nusja ja ka thënë që vajzë e ka, por ata kanë insistua duke i thënë “djalë e ki””, ka shtuar ai.

Alimi me familjarë kanë kryer gjatë ditës procedurat e varrimit të foshnjës.

Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj nuk ka dashur të flas para kamerës.

Drejtori i gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, i ka thënë televizionit përmes telefonit se në këtë rast nuk ka pasur ndërrim të foshnjës, por dhënie të gabuar të informacionit.

Ndrejaj ka shtuar se në këtë rast gruaja ka pasur disa komplikime prej kur është pranuar në Gjinekologji.

Rasti, ai ka konfirmuar se ka ndodhur në sallën e lindjes.

Për këtë, tashmë është aktivizuar edhe Prokuroria.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rast “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, ndërsa trupi i pa jetë i foshnjës është dërguar në IML, për obduskion. Prokuroria në koordinim me institucionet relevante është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për t’i ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti”.

Fatlum Alimi është ankuar gjithashtu edhe për një trajtim jo të mirë të gruas së tij, nga stafi në Gjinekologji.

Për këto akuza, drejtori i kësaj klinike ka thënë se do të flas më vonë./RTV Dukagjini/

Të ngjashme
Lajme • 01 Tetor 2022