Sport
Dragusha komenton ardhjen e Çekut në krye të Ministrisë së Sportit: Për të pasur suksese, i duhet njohuri dhe dituri
Demokracia
21:36 | 22 Mars 2021

Share:

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar dhe tani trajner, Muhamet Dragusha e ka komentuar ardhjen e Hajrullah Çekut në krye të Ministrisë së Sportit në Qeverinë e Kosovës.

Hajrullah Çeku është ministri më i ri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e së hënës kanë votuar qeverinë e re, në të cilën Çeku është propozuar për ta drejtuar MKRS-në, shkruan Demokracia.com.

Në pasditen e së hënës, pas shumë diskutimeve në seancë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, me ç’rast kreu i LVV-së Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës.

Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit do të jetë e bashkuar, ashtu sikurse në qeverisjen e kaluar, derisa udhëheqja e kësaj Ministrie i është besuar Hajrullah Çekut, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Dragusha e ka uruar Çekun për detyrën e re, derisa thotë se për të pasur sukses duhet ta njoh mirë këtë dikaster.

“Ne i dëshirojmë mirëseardhje dhe shumë suksese. për të pasur suksese, sigurisht se duhet të ketë njohuri dhe dituri për këtë përgjegjësi. Pastaj, përveç kësaj, duhet të ketë edhe këshilltarë të duhur dhe që e njohin për ta pasur më lehtë këtë rrugëtim”, ka deklaruar Dragusha për Demokracia.com.

Por, kush është Hajrullah Çeku?

Hajrulla Çeku ka studiuar Shkencë Politike në Universitetin e Prishtinës dhe ka magjistruar në Qeverisje dhe Zhvillim Lokal në Universitetin e Trentos, Itali dhe Universitetin e Regensburgut, Gjermani.

Për 15 vjet ka qenë pjesë e shoqërisë civile i angazhuar në çështje të trashëgimisë kulturore, turizmit, planifikimit urban dhe mjedisit.

Hajrullau ka qenë i përfshirë në shumë nisma qytetare për mbrojtjen e strukturës urbane të qyteteve të Kosovës, si në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Vushtrri dhe të tjera. Qasja komunitare dhe fuqizimi i grupeve të pambrojtura dhe pa zë kanë qenë shtylla të veprimtarisë së tij.

Duke u bazuar në rezumenë e tij në “Wikipedia”, Çeku nuk shihet të jetë i përfshirë në ndonjë projekt sportiv në karrierën e tij.

Ndryshe, Ministrinë e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit në qeverinë e kaluar e ka drejtuar Vlora Dumoshi, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shumë projekte ishin premtuar nga Dumoshi në infrastrukturën e futbollit e kosovar, ku në veçanti duhet përmendur ndërtimi i stadiumit nacional të Kosovës.

Ndonëse ende nuk dihet lokacioni i këtij stadiumi – në Drenas ose në Prishtinë, ky projekt i MKRS-së kap vlerën e 65 milionë eurove.

Përveç stadiumit nacional, Çeku do t’i ketë në tryezë edhe projekte të ndryshme.

Disa prej tyre janë zgjerimi i stadiumit “Fadil Vokrri”, aty ku aktualisht i zhvillon ndeshjet Kosova, si dhe ndërtimi i fushave ndihmëse në komuna të ndryshme të Kosovës. /Demokracia.com

Të ngjashme