Lajme
Dosja e Prokurorisë ndaj ekzaminerit dhe instruktores, dyshohen se pranuan 200 euro ryshfet për t’ia mundësuar kalimin e testit një kandidateje
Demokracia
17:45 | 21 Maj 2025

Share:

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj ekzaminerit Ekrem Latifi dhe instruktores Ardita Balaj, të cilët u ndaluan më 19 maj nën dyshimin për marrje ryshfeti.

Ekrem Latifi më 16 maj u lirua nga akuza në rastin ku akuzohej për dhënie ryshfeti.

Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se më 19 maj 2025, nga ora ora 08:30 deri në ora 15:15 në Prishtinë, në ambientet e oborrit të Stacionit të Autobusëve, të dyshuarit- ekzamineri Ekrem Latifi dhe instruktorja në auto-shkollën “AFA BC1 (Albi A-F), Ardita Balaj, në bashkëkryerje pas marrëveshjes paraprake kanë kërkuar nga e dëmtuara E.V, kandidate për patentë shofer, dobi pasurore në shumë prej 200 euro.

Fillimisht e pandehura Ardita Balaj në veturë ia merr të dëmtuarës shumën prej 200 euro (4*50Euro- mjete monetare të Policisë së Kosovës, të dhëna për zbatimin të masës së veçantë hetimore), me qëllim që t’i sigurohet kalimi i testit tek ekzamineri Ekrem Latifi dhe ia shtyen kohën e mbajtjes së testimit nga ora 08:30 për në orët e pasdites rreth orës 14:45 dhe pasi e dëmtuara e kalon testin e vozitjes, e pandehura Ardita takohet me të pandehurin Ekrem rreth orës 15:15 dhe nga shuma prej 200 euro të cilën e kishte marrë paraprakisht nga e dëmtuara, shumën prej 100 euro ia jep ekzaminerit Ekrem Latifi”, thuhet në kërkesën për caktim të masës së paraburgimit.

Me këto veprime, Latifi dhe Balaj dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas Prokurorisë, më 27 mars 2025 është pranuar kërkesa për masa të veçanta hetimore nga Sektori për Hetimin e Korrupsionit -DHKEK në Prishtinë, dhe në po të njëjtën ditë është lëshuar urdhëresa për zbatimin e masave të veçanta hetimore dhe është kërkuar nga Gjykata aprovimin retroaktiv të tyre, të cilat u aprovuan me urdhëresën e 28 marsit 2025.

Masat e veçanta hetimore janë lëshuar për periudhën 60 ditore- deri më 25 maj. Kurse, më 16 maj ishte kërkuar nga Gjykata lëshimi i masës së veçantë hetimore- dhënia dhe marrja e simuluar e ryshfetit, e cila kërkesë u pranua po atë ditë.

Aty thuhet se pas zbatimit të këtyre masave, rezulton dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën për të cilën dyshohen.

Andaj, më 19 maj Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të pandehurve dhe mori aktvendim për zgjerimin e hetimeve.

Në arsyetimin e kërkesës për caktim të masës së paraburgimit, të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, thuhet se janë plotësuar kushtet për caktimin e kësaj mase, siç janë: fakti që nëse të pandehurit lihen në liri mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale- ndikimin në të dëmtuarën apo përsëritjen e veprës, për shkak të peshës së veprës penale, mënyrës dhe rrethanave të kryerjes së saj dhe sjelljen e mëparshme (faktin që i pandehuri Latifi edhe më herët ka qenë i përfshirë në rast të ngjashëm).

“Këtë e vërteton edhe deklarata e të dëmtuarës dëshmitares e cila ka deklaruar se pas arrestimit të të pandehurve, e njëjta dhe familjarët e saj kanë pranuar telefonata nga persona të ndryshëm për shkak të lajmërimit të rastit me qëllim që të takohen për të biseduar për rastin”, thuhet në dosje.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete nuk e kanë pasur parasysh se me këtë vepër penale shkaktojnë një pasojë më të madhe shoqërisë, pra specifikisht duke rrezikuar jetën e qytetarëve në komunikacion.

“Pastaj për shkak të mënyrës dhe rrethanave në të cilën është kryer vepra penale, duke pasur parasysh se të pandehurit këtë e kanë kryer me një koordinim paraprak mes vete fakte të cilat vërtetohen nga provat materiale të siguruara nga masat e veçanta hetimore-monitorimi i bisedave, vëzhgimi si dhe masa e simulimit, konkretisht të njëjti janë marrë vesh që shumën prej 200 euro ta ndajnë proporcionalisht mes vete me nga 100 euro, e të cilat para që janë përdorur nga Fondi i Policisë për realizim të masës, i janë gjetur dhe sekuestruar të pandehurës Ardita Balaj, ndërsa shumën tjetër prej 100 euro e njëjta ia ka dhënë të pandehurit Ekrem Latifi”, thuhet tutje në kërkesë.

Ndryshe, më 19 maj, Policia e Kosovës- ekipet për hetimin e korrupsionit në kuadër të Krimeve Ekonomike kanë realizuar një operacion policor në Njësinë e Patentë Shoferëve në Prishtinë, me të cilin rast u ndaluan dy të dyshuarit.

Të ngjashme