Lajme
Dorëzohet prapë Qeveria, Lajçak paralajmëron takim me Bislimin për çështjen e dinarit
Demokracia
18:10 | 04 Mars 2024

Share:

Edhe pse zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, pati deklaruar se çështja e dinarit “nuk do jetë pjesë e dialogut”, ky i fundit në ditët në vijim pritet të diskutoi për këtë çështje me Emisarin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Kështu ka njoftuar Lajçak përmes një postimi në Facebook dhe ka theksuar se takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismajli dhe drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, “ishte një hap i rëndësishëm”.

“Megjithatë, mbeten shumë pyetje politike dhe do të nevojiten bisedime shtesë në ditët në vijim. Kjo është arsyeja pse si hap i menjëhershëm i ardhshëm do të kem një diskutim vijues me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi”, shkroi Lajçak.

Ndryshe, i pari që u deklarua pas takimit të mbajtur në Bruksel në fund të muajit të kaluar, ishte shefi i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, njëherësh kryenegociator i palës serbe në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, Petar Petkoviç, i cili insistoi që diskutimet për këtë çështje të bëhen në nivel politik, derisa akuzoi palën kosovare për dëbim të serbëve nga Kosova.

Në një prononcim për gazetarë pas takimeve që u zhvilluan nën ndërmjetësimin e Emisarit Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, kryenegociatori serb e cilësoi ndalimin e dinarit për transaksione me para të gatshme “vendim politik” të Kosovës, qëllimi i së cilës është “dëbimi i serbëve” nga territori kosovar.

Pas Petkoviç-it u deklarua edhe guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili i cili tha se gjatë takimit janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë, dhe asgjë tjetër.

Ndërsa Lajçak, nëpërmjet një postimi në platformën “X” pas takimeve për çwshtjen e dinarit, tha se “shumë pyetje mbeten pa përgjigje” dhe së këndejmi, nevojiten takime shtesë për këtë çështje në të ardhmen.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e Bankёs Qendrore tё Kosovёs (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb, duke specifikuar se valuta e vetme që lejohet për pagesa/transaksione është euro.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti i këtij viti, kjo praktikë është ndalur, duke nxitur reagimin e autoriteteve serbe dhe bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Të ngjashme