Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Kështu njoftoi Rakiq pasi partia e tij ka vendosur të shtunën që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë Rakiq pas takimit.
Rakiq ka thënë të shtunën se vendimet për largim nga institucionet do të zbatohen deri në momentin kur “Prishtina fillon të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel”, shkruan Demokracia.com.
“Kjo do të thotë, konkretisht, derisa të tërheqin vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojnë Asociacionin e komunave serbe, në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura me këtë çështje në dialog”.
Vetë Rakiq ka deklaruar se ka dhënë dorëheqje nga “pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës”.
Kryeministri Albin Kurti, para se të vinte në pushtet kishte thënë se bisedimet me serbët do t’i bëjë nga poshtë-lart, jo me Serbinë dhe Listën Serbe.
Opozitari shumëvjeçar, Albin Kurti, dikur deklaronte se dialogun do ta bënte vetëm me qytetarët serbë dhe jo me Aleksandër Vuçiqin dhe Listën Serbe.
Por, kur erdhi në krye të ekzekutivit, Kurti e bëri të kundërtën. Ai tani po shkon pa përtesë në bisedime me Vuçiqin dhe nuk po dialogon me qytetarët serbë. Madje, ai brenda Qeverisë së tij e ka edhe një ministër të Listës Serbe që nuk ia “fishkëllon” fare si kryeministër dhe ky nuk guxon as ta qortojë ndonjëherë./Demokraica.com/