Lajme
Dorëheqjet masive | Serbët të painteresuar për konkursin e Qeverisë (Dokument)
Demokracia
17:13 | 25 Janar 2023

Share:

Serbët e Kosovës janë shprehur të painteresuar për konkursin e Qeverisë për zëvendësimin e serbëve, të cilët u dorëhoqën nga pozitat që mbanin në nëntor të vitit të kaluar. 

Në konkursin që Qeveria e Kosovës e shpalli në dhjetor të viti 2022 është parë interesim i vogël i serbëve për t’u punësuar në institucionet e Kosovës.

Megjithatë, Qeveria nuk ka treguar deri më sot se ato pozita a do të zëvendësohen me pjesëtarët e komunitetit serb apo me shqiptarë.

Në listën që e ka siguruar Demokracia.com, personat që kanë plotësuar kushtet për rekrutim janë shqiptarë.

Këta zyrtarë do të punojnë në disa qendra të Kosovës, kryesisht në pjesët veriore, në komunat me shumicë serbe.

Në këtë konkurs shihet se shumë pak ka pasur interesim nga komuniteti serb.

“Ministria e Punëve të Brendshme duke u bazuar me nenin 13, paragrafi 4, t Rregullores (QRK) nr 05/2022 për Procedurat Konkurruese dhe Pranimi për Nëpunësit Administrativ dhe Mbështetës, shpall: Lista e shkurtër të kandidateve që kanë plotësuar kushtet për aplikim për pozitën Zyrtar  Administratat Qendrat për Pajisje me Dokumente dhe Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve në: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq dhe në Agjencinë për Menaxhimin  Emergjent n Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok dhe Leposaviq”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Demokracia.com.

Më datën 5 nëntor, Lista Serbe kishte bërë të ditur se zyrtarët serbë në Kuvendin e Kosovës, Qeveri, pushtet lokal, Polici, gjykata dhe institucionet tjera në veri të Kosovës, kishin dhënë dorëheqje.

Ky revoltim i serbëve kishte ardhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për arrestimin e Drejtorit të Policisë së Kosovë në veri, Dejan Pantiq.

Kurse, më 9 nëntor, katër zyrtarë komunalë kishin dhënë dorëheqje në katër komunat veriore të Kosovës. Këtë e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar njoftimin për dorëheqje të 4 Zyrtarëve Komunal të Zgjedhjeve në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. KQZ-ja do ta trajtojë këtë çështje dhe do t’iu mbajmë të informuar”, kishte thënë ai.

Madje, këto zgjedhje ishin paraparë të mbahen më 18 dhe 25 dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, presidentja Vjosa Osmani, me datën 10 dhjetor të vitit 2022, pas një takimi konsultativ me partitë politike kishte vendosur t’i shtyjë zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe.

Osmani kishte caktuar datën 23 prill të vitit 2023 që të mbahen zgjedhjet në katër komunat veriore.

Këtë vendim të Osmanit e kishin mirëpritur edhe ambasadorët e QUINT-it në vend. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 31 Maj 2024