Lajme
Dorëheqjet e policëve në veri, gjenerata e fundit u trajnua në Shkollën e Policisë vetëm tre muaj
Demokracia
17:59 | 11 Gusht 2023

Share:

Në kohën kur vazhdonte që situata në veri të vendit të jetë ende delikate dhe e tensionuar, Policia e Kosovës, hapi disa konkurse për të përmbushur pozitat e mbetura të lira, pas qindra dorëheqjeve që dhanë policët e komunitetit serb me grada të ndryshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit në nëntor të vitit të kaluar.

Përveç dorëheqjeve, fokusin kryesor të menaxhmentit të Policisë, Qeverisë e Ministrisë së Brendshme e kishte veriu i Mitrovicës, në të cilën do të dërgoheshin njësi të ndryshme për të ofruar rend e siguri në atë zonë.

Me orar të tejzgjatur e me anë të një rotacioni, njësitë policore bënin ndërrimet në pika, lokacione e ndërtesa të komunave.

Kjo situatë zgjati për më shumë se dy muaj ndërsa së fundmi situata ka nisur të shtendoset pas tërheqjes së 25 për qind të njësive policore nga veriu i vendit me kërkesë të ndërkombëtarëve, ndërsa situata ende konsiderohet delikate.

Disa nga konkurset e policisë, mblodhën qindra aplikime të cilat u shqyrtuan, kandidatët u testuan edhe fizikisht edhe psikologjikisht dhe më pas të njëjtit filluan që të mbanin trajnimin kryesor, atë bazik për të mësuar punën e tyre që do i priste në terren.

Policisë së Kosovës, muajin e kaluar në radhët e saj iu shtuan edhe 490 pjesëtarë të rinj, të komuniteteve kryesisht shqiptar, por që pati edhe të komunitetit serb, turk, e boshnjak.

Këta policë të rinj tashmë që kanë nisur punën e tyre muajin e kaluar, kanë kaluar edhe trajnimin bazik, i cili mbahet në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri.

Ky trajnim kësaj radhe është mbajtur vetëm tre muaj dhe jo 6 sikurse në rekrutimin e policëve të gjeneratave të kaluara.

Gjenerata e 58-të e Policisë së Kosovës, trajnimin e mbajti të përgjysmuar pra për vetëm 3 muaj anipse ishte intensiv.

Policia e Kosovës ka thënë për KALLXO.com se duke u bazuar në vlerësimet e bëra, për shkak të nevojave urgjente me plotësimin e vendeve të punës dhe nevojave operacionale si dhe pas dorëheqjeve të policëve nga komuniteti serb dhe me qëllim të plotësimit me personel, nga Policia e Kosovës është modifikuar plan-programi por gjithnjë bazuar në modulet e parapara.

“Siç është e ditur edhe në të kaluarën gjenerata të ndryshme me kadetë të Policisë së Kosovës, kanë kryer trajnime bazike me afate të ndryshme kohore varësisht vlerësimeve të bëra nga kompetentët”- ka thënë zyra për komunikim e Policisë së Kosovës.

Tutje PK ka thënë edhe se zyrtarët policorë do të jenë të gatshëm të dalin në punë si dhe të gjithë do të vazhdojnë trajnimin fushor sipas planprogramit në vendet e tyre të punës.

Kryetari i Sindikatës së policëve në Kosovë, Imer Zeqiri, tha se një situatë e tillë nuk duhet të zgjasë.

“Besoj që kjo gjenerata e fundit e ka pasur tre muaj për shkak se është dashur të plotësohet numri, nuk besoj që e kanë bërë për gjithherë sepse kjo është e papranueshme”,thotë Zeqiri derisa shton se nga viti 2004, Policia e Kosovës ka mbajtur trajnimin bazik në kohëzgjatje prej gjashtë muajve.

Zeqiri thotë se nuk ka kërkuar informacione në lidhje me këtë çështje por që sërish vë në pikëpyetje nëse mund të merret profesionalizëm korrekt me trajnim bazik që zgjat vetëm tre muaj.

“Për neve është e papranueshme nëse kanë vendosur që kjo të bëhet përherë. Nëse e kanë bërë për gjithë ndoshta është për shkak të buxhetit por kjo nuk do të duhej të ndodhte sepse nuk mundesh me i marrë të gjitha njohuritë e duhura për 3 muaj, ndonjëherë s’mundesh as për 6 muaj sa është zyrtarisht, shton tutje Zeqiri.

Zeqiri shton se nëse nuk arrijnë që këta kadetë të rinj të policisë të marrin trajnimin e duhur për shkak të kohës së shkurtër, atëherë kjo situatë mund të paraqet rrezik edhe në shoqëri por edhe për vetë pjesëtarin e ri të policisë.

“Në realitet, orët e parapara sidomos për përdorim të armës, nuk i kanë anashkaluar as në gjeneratën e fundit sepse ajo është pjesa më e rëndësishme. Sepse në rast se nuk di apo nuk profesionalizohesh me armë zyrtari mund të shkaktoj edhe vetëlëndim, ai mund të jetë edhe rrezik për veten edhe rrethin e shoqërinë. Shkurtimi është i papranueshëm”, thotë Zeqiri.

Sipas tij koha e shkurtuar mund të ndikojë në profesionalizëm të policëve të rinj.

“Në realitet nuk e kanë përvojën dhe nuk mund të themi se janë profesional, janë vetëm tre muaj, nuk mund të jetë, as për gjashtë muaj ai duhet të jetë në përcjellje të një instruktori të vjetër. Për tre muaj është përgjysmë më pak, nëse ata ballafaqohen me situata të ndryshme, qoftë situata të rrezikshme apo situata që duhet të ketë një intervenim profesional mendoj se ata nuk besoj se janë të përgatitur për këto situata”, shpjegon Zeqiri.

Zeqiri shton se në raste të tilla, nëse ndodh që një polic i ri i gjeneratës së fundit të tejkaloj kompetencat e tij, faji nuk duhet të bie vetëm mbi të por edhe te institucioni i sigurisë.

“Për këtë periudhën e fundit, nuk kemi pasur ndonjë kërkesë, por nëse ndodh që edhe në gjeneratën e ardhshme të jetë trajnimi 3 muaj ne do të kërkojmë që kjo të mos ndodh sepse nga ajo shkollë duhet të dalin policët sa më profesional”, shtoi Zeqiri.

Ai thotë se kjo çështje mund të jetë koordinim mes Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Ka qenë një situatë që është kërkuar që të plotësohet vendet për shkak se jeni në dijeni që kemi pasur edhe dorëheqje të policëve të nacionalitetit serb, por kjo çështje nëse vazhdon do të jetë e papranueshme nga ana jonë”, tha ai.

Tutje ai shtoi se për këtë situatë do të kërkojë edhe takim edhe me menaxhmentin dhe drejtorin e Policisë së Kosovës.

“Nëse kjo çështje është edhe presion nga politika atëherë do të jetë edhe më e papranueshme”, përfundoi bisedën Zeqiri, kryetar i Sindikatës së policëve.

Ridvan Kajtazi, ish-zyrtar policor, ish-hetues për veprat penale të policëve dhe aktualisht avokat, tha se shkurtimi i trajnimit bazik është bërë për shkak të rrethanave që u krijuan muajt e fundit në veri të Kosovës.

“Ndryshimi i afatit për trajnimin bazik në akademi, prej periudhës 6 mujore në periudhë 3 mujore besoj që është bërë për shkaqe emergjente për shkak të situatës së krijuar edhe në veri edhe për dorëheqjen e pjesëtarëve të komunitetit serb”, thotë Kajtazi.

Ai shton se tre muaj trajnim bazik për kadetët e rinj të policisë, nuk është afat i mjaftueshëm, anipse thekson se trajnimi ka qenë intensiv.

“Realisht, trajnimin që e kanë shkurtu sa i përket periudhës, kurrikula dhe trajnimi është bërë për me qenë intensiv që me pas mundësi me u përfshi e gjithë periudha. Nuk duhet të harrojmë faktin se pas përfundimit të trajnimit bazik ata policë kanë edhe trajnimin fushor, pra policët që kanë grada të caktuar udhëheqin zyrtarët e rinj”, shton ai.

Kajtazi thotë se duhet të veprohet ngjashëm sikur herëve të kaluara, kur trajnimi bazik për policët e rinj ka qenë gjashtë muaj.

“Tash kemi rekrutim të zyrtarëve të rinj të komunitetit serb e dimë se me çka ballafaqohen ata në pjesën e veriut por është mirë me u kthy periudha e trajnimit gjashtë muaj ose edhe më shumë se gjashtë muaj, në mënyrë që policët e rinj që marrin detyrat të dalin të profesionalizuar nga akademia, për t’iu përgjigjur sfidave dhe detyrave dhe zbatimit të kompetencave që i kanë të përcaktuara me Ligjin për Policinë dhe rregulloreve të tjera”, tha Kajtazi.

Ish- drejtori i Policisë, Rashit Qalaj e quan gabim shkurtimin e këtij afati derisa pranon se kjo mund të ketë lidhje me situatën e krijuar në veri.

“Ata kadetë që dalin nuk kanë mundësi që të aftësohen, sidomos për trajnimit që janë sensitive, çështja bjen edhe te përdorimi i armëve, pastaj të drejtave njerëzore. Mendoj se është gabim edhe pse po mendoj se ndoshta është bërë për shkak të nevojave edhe në veri të vendit dhe kjo është arsyeja pse Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka bërë një veprim të tillë”, thotë Qalaj.

Madje ai përmend faktin edhe se Policia e Kosovës nuk duhet të bie pre e nevojave të politikës që të rekrutojë policë të rinj me trajnim bazik të shkurtuar dhe t’i vendos ata në rrugë.

“Edhe pse trajnimi bazik shoqërohet pastaj me trajnimin fushor, ku kadetët përcjellen nga policë me përvojë, por gjithsesi trajnimi duhet të jetë i kompletuar të jetë 7 muaj që kadetët të trajnohet në çdo fushë ashtu siç është e paraparë me programin dhe të mos bien pre e nevojave të politikës që ata sa ma shpejtë të dalin dhe t’i qesin në rrugë (policët e rinj)”- tha ai.

Qalaj thotë se një situatë e tillë ka qenë vetëm në rastin kur është bërë themelimi i Policisë së Kosovës, në kohën e UNMIK, trajnimi bazik ka qenë i shkurtuar për shkak të formimit të tashmë institucionit kyç të sigurisë në Kosovë.

490 kadetët e rinj e njohur si gjenerata e 58-të e Policisë së Kosovës, u betuan për t’i shërbyer vendit në situata të ndryshme, për të ofruar rend dhe siguri në secilën detyrë që u takon më 14 korrik.

Në këtë ceremoni të diplomimit krerët e shtetit uruan policët e rinj duke u shprehur krenarë me ta dhe theksuan rëndësinë që Kosova të anëtarësohet në Organizata Ndërkombëtare të Policisë.

Në diplomim morën pjesë edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani.

Situata e tensionuar në veri të Mitrovicës bëri që vëmendja të fokusohej më shumë në atë zonë në aspektin e sigurisë.

Policë të njësiteve të ndryshme policore duke përfshirë edhe ata të mbrojtjes së afërt për javë të tëra ofruan rend në atë pjesë.

Qeveria e Kosovës tashmë ka nisur që të zbatoj pikat për shtendosjen e situatës pas kërkesave të vazhdueshme nga ndërkombëtarët.

25 përqind e policëve në veri u tërhoqën ditë më parë nga katër komunat me shumicë serbë në veri të vendit.

Zvogëlimi në 25 për qind i prezencës policore në veri, është një ndër pikat e dakordimit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtendosje të situatës në veri.

Kujtojmë se më 23 maj kryetarët e rinj të komunave me shumicë serbe të zgjedhur në prill të këtij viti hynë brenda objekteve të komunave Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Ajo ditë kaloi me tensione mes policisë dhe protestuesve. Kërkesa e protestuesve ishte që kryetarët e rinj nuk do të përfaqësonin interesat e tyre dhe se për këtë ata nuk mund t’i lejonin që të funksionin nga zyrat e komunës.

Tri ditë më vonë më saktësisht më 26 maj, këto tri komuna u blinduan nga KFOR pas informacioneve se mund të ketë përshkallëzim të situatës pas hyrjes së kryetarëve të rinj në komuna.

Në Zveçan, situata eskaloi, dhjetëra ushtarë të KFOR-it u lënduan, një ushtari më pas iu amputua këmba, protestues të shumtë kërkuan ndihmë mjekësore, gazetarët e reporterët u bllokuan në një kafeteri, ndërsa pati dëme të konsiderueshme të veturave të policisë.

Një situatë e ngjashme sikurse ajo e Zveçanit, nuk u pa në dy komunat tjera Zubin Potok e Leposaviq.

Në Zubin Potok gjendja vazhdimisht raportohej e qetë, por jo edhe në Leposaviq.

Për disa ditë rresht u raportuan e u regjistruar dhjetëra dosje për sulme ndaj gazetarëve, dëmtime të veturave dhe pengim të detyrës.

Gjendja e sigurisë edhe sot konsiderohet e qetë por delikate.

Autoriteti Kombëtar i Kualifikimevenë vitin 2018 kishte akredituar Akademinë e Sigurisë Publike në Vushtrri.

Në bazë të programeve, Akademia e Sigurisë Publike do të ofronte trajnime të punësimit për zyrtarë doganorë, policë, zjarrfikës, shërbimin korrektues, dhe Inspektoratin Policor, të cilët trajnohet për punën e tyre të mëtutjeshme.

Komisioni Evropian në Raportin e Progresit ka thënë se Akademia e Kosovës për Siguri Publike ofron arsim cilësor. /Kallxo.com/

Të ngjashme