Specialisti i fushës për menaxhimin e konfliktit dhe një nga vëzhguesit më të njohur të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, beson se dorëheqja e Aleksandar Vulinit prej pozitës së shefit të BIA-s, nuk nënkupton distancim të politikës së Serbisë ndaj Rusisë, mirëpo përpjekje për t’i shmangur sanksionet shtesë.
Sipas profesorit në Universitetin Johns Hopkins, Uashingtoni zyrtar do ta mirëpresë dorëheqjen e Vulinit, ndërsa Moska nuk do të jetë e lumtur.
I pyetur se pse ka dhënë dorëheqje Vulini, Serwer ka thënë se ai ka qenë në presion të evropianëve dhe amerikanëve.
“Mirëpo fakti që i janë dashur tre muaj, dhe jo tri ditë, tregon se ka pasur rezistencë të madhe të presidentit të Serbisë, Vuçiç, i cili e ka pikëpamjen e njëjtë me atë të Vulinit dhe ambicien e njëjtë për kontroll politik të popullsisë serbe në shtetet fqinje”, ka thënë Serwer, për Radio Evropën e Lirë.
Serwer beson që Vulini e ka thënë të vërtetën, kur ka potencuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ia kanë kërkuar dorëheqjen e tij, në mënyrë që të mos vendosin sanksione ndaj Serbisë.
Megjithatë, ai nuk beson se dorëheqja e tij nënkupton se Serbia do të pajtohet për koncesione tjera.
“Vulini nuk është problem i vetëm në Serbi. Presidenti Vuçiç nuk ka treguar asnjë shenjë keqardhjeje për ngjarjet e 24 shtatorit në Veri të Kosovës”, ka thënë Serwer.