Lajme
Dorëheqja e Mustafës dhe Kuvendi Zgjedhor, priten përçarje brenda LDK-së
Demokracia
22:06 | 17 Shkurt 2021

Share:

Pas më shumë se 10 vitesh në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka dhënë dorëheqje nga ky post, duke e lënë partinë të dalë nga zgjedhjet me humbjen më të madhe në historinë e saj.

Tani këtë parti e presin sfida të reja. Brenda 60 ditësh, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), do të duhet të zgjedhë kryesinë e re.

Por se si do të shkojë ky proces për këtë partitë dhe se çfarë pritet të ndodhë më pas, për Demokracia.com flasin njohësit e çështjeve politike në vend.

Një nga themeluesit e LDK-së, profesor Milazim Krasniqi, për Demokracia.com thotë se rreziku për një krizë brenda këtij subjekti politik ekziston, pasi kanë mbetur grupe të cilat i shohin interesat e veta.

“Po unë besoj qe rreziku për krizë ekziston pasi ka kohë të gjatë që në LDK idealet janë venitur, pra aty kanë mbetur më shumë grupe njerëzisht që kanë interesa praktike, politike, ekonomike, dhe në momentin që mund të shohin se mund të fitojnë diku tjetër më shumë, gjasat janë që mund të ndërrojnë ekipin siç ka ndodhë herëve të tjera tash krejt varet nga mënyrat se si do të menagjohet kriza. Nëse e lajnë siç  e ka zakon LDK-ja me i zvarrit ngjarjet dhe me e lanë punën e sotit për nesër atëherë përnjëmend mund të krijohet pakënaqësia dhe atëherë mund me pas probleme më serioze”, u shpreh Krasniqi.

Sipas tij përçarja brenda kësaj partie mund të evitohet nëse LDK-ja voton sipas parimit “një anëtar, një votë”, e jo të bëhet emërimi i ndonjë grupi interesi siç thotë ai se ka qenë në kohën e Isa Mustafës.

“Mendoj se LDK-ja  duhet të fillojë të aplikojë parimin e njohur, një anëtarë një votë,  nga i cili mund të dal një lider i ri i partisë, jo si emërim i ndonjë klani apo grupi interesi siç ka qenë deri tash veçmas në rastet e Isa Mustafës,  po duke shku, duke votu  gjithë anëtarësia e LDK-së për disa kandidatë dhe nëse shkohet me këtë parim atëherë do të vinte përnjëmend një kryetari i ri do të kishte mundësinë të bënte reforma, nëse veç vendoset me i qit gurë sikur në shah një pe hek, një po e vendos atëherë unë nuk besoj qe do të ketë zgjidhe afatgjate për këtë gjendje të LDK-së”, theksoi Krasniqi.

Ndërkaq, politologu Ramush Tahiri për Demokracia.com thotë se pret përçarje mes Lidhjes Demokratike Kosovës, duke marrë parasysh përgjysmimin në krahasim me zgjedhjet e 2019-së.

Më tej, ai shton se nëse LDK-ja vazhdon kështu mund shuhet prej jetës politike.

“LDK duhet ta ndërrojë këtë kuvend të hyjë me dokumente të reja dhe statut të ri, ose me rregulla të reja të mbajtjes së kuvendit ku do të respektohet secila votë, do të respektohet kuota ,do të respektohet secila fjalë kur nuk do të ketë imponime, gjithashtu nuk pres ma që lideri me zgjedh kryesinë e kuvendit apo 1/3 e  kuvendit sepse kjo ka qenë jo demokratike e kam thon edhe në atë kohë, prapë po e thom, e cila kishe për hatër të Rugovës është mbajt, por ky inercion tashti me frymën e re që po përhap Vetëvendosja dhe me votuesit e ri ka ra, dhe nëse vazhdon kështu LDK-ja shuhet prej jetës politike, që nuk është një kurrgjë gjë e jashtëzakonshme në historinë politike as të Kosovës, e as të vendeve tjera”, tha Tahiri.

Ndërkaq, Imer Mushkolaj për Demokracia.com ka thënë se mënyra e udhëheqjes së LDK-së, nga qasja që i konvenon vetëm një grupi e ka dërguar këtë parti drejt rezultatit më të ulët, që kur ekziston.

“LDK-ja  e ka vujt gjatë dekadës së fundit me në krye me Isa Mustafën dhe e ka pa anëtarësia  e saj se çka do të thotë kur partia udhëhiqet me një qasje që i konvenon vetëm një grupi të ngushtë në krye të LDK-së dhe kjo logjik e ka qu LDK-në drejt rezultatit më të ulët më të keq ndonjëherë prej se ekziston, pra të gjithë anëtarët e LDK-së  do të duhet të merrnin mësim se ajo që i ka ndodhur LDK-së në mënyrë që të mos bëjnë gabime të tjera në zgjedhjen e kryetarit të ri”, theksoi Mushkolaj.

Sipas tij, procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të LDK-së duhet të mos jetë improvizim, por një proces transparent dhe sipas “parimit një anëtar një vote”.

Ndryshe, gjatë së martës, vetë Isa Mustafa theksoi se LDK-ja çështjen e zgjedhjes së kryesisë së re do ta ketë të përfunduar në mesin e muajit mars, pavarësisht se me statut të saj kjo është e përcaktuar deri në 60.

Mustafa po ashtu bëri të ditur se akoma nuk ka asnjë kandidat apo ndonjë emër të propozuar për kryetar të LDK-së.

Jo nuk janë përmendur. Ju kemi thënë që të mendojnë dhe të bëjnë propozime dhe do të mundohemi që sa më shpejtë të kemi propozime edhe prej degëve edhe prej kryesisë edhe ta përmbyllim këtë proces sa më shpejtë.  Nuk kemi caktuar datë dhe afati më i largët i mbledhjes është 60 ditë, por ne nuk do ta presim 60 dhiteshin do të bëjmë përpjekje që diku deri më së largu që mesin e marsit ta mbyllim këtë proces”, deklaroi dje (marte), Mustafa.

Theksojmë se Isa Mustafa më 15 shkurt (një ditë pas zgjedhjeve), kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së për shkak të rezultatit të dobët që mori ky subjekt politik.

Sipas të dhënave zyrtare dhe rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lidhja Demokratike e Kosovës aktualisht ka 13.08 për qind të votave, përqindje kjo e cila është më e thella dhe rezultati më i dobët në historinë e LDK-së. /Demokracia.com/

Të ngjashme