Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar edhe njëherë në lidhje me refuzimin e Qeverisë për të lejuar referendumin e Serbisë në Kosovë.
Ambasadori i SHBA-ve në OSBE, Michael Carpetener, një prej njerëzve të afërt të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, drejtor menaxhues i Qendrës Penn Biden për Diplomacinë. ka kritikuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.
Carpetener ka thënë se SHBA-ja kishte shpresuar se Qeveria e Kosovës do të lejonte misionin e OSBE-së të mblidhte fletëvotimet, mirëpo që ajo nuk veproi kështu.
Dora e djathtë e Biden ka thënë se së shpejti do të diskutohen edhe modalitetet për votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme të organizuar nga Serbia.
“Mezi presim të diskutojmë me partnerët tanë – si me Qeverinë e Kosovës ashtu edhe me Qeverinë e Serbisë – se çfarë aranzhime dhe akomodime mund të bëhen për t’u siguruar që qytetarët të cilët përkatësisht banojnë në Kosovë dhe Serbi të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e vendit të tyre”, ka thënë Carpetener.
Deklarata e plotë e Carpetener:
Shtetet e Bashkuara mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë të 16 janarit, në të cilin qytetarët miratuan amendamentet kushtetuese që synojnë reformën në drejtësi. Këto ndryshime janë një hap i rëndësishëm drejt depolitizimit të gjyqësorit të Serbisë në përputhje me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e pranimit të Serbisë në BE. Ne inkurajojmë qeverinë serbe që të vazhdojë të forcojë demokracinë në vend përmes sundimit të ligjit dhe reformave të tjera të nevojshme për anëtarësimin në BE, dhe ofrojmë mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për përpjekjet e Serbisë.
Përpara referendumit, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan partnerëve të saj evropianë duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve serbë që të marrin pjesë, pasi ne besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Thënë kështu, le të jemi të qartë për qëndrimin e SHBA-së për të drejtat e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran për të përcaktuar kushtet me të cilat do të zhvillohen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj. Ne kishim shpresuar se qeveria e Kosovës do të vazhdonte praktikën e kahershme të lejimit të OSBE-së për të mbledhur fletëvotimin e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë, por ajo zgjodhi të mos e bënte këtë. Ne e përgëzojmë Misionin e OSBE-së në Kosovë për gatishmërinë e tij që edhe një herë të marrë përsipër detyrën për të ndihmuar serbët që jetojnë në Kosovë për të votuar. Mezi presim të diskutojmë me partnerët tanë – si me Qeverinë e Kosovës ashtu edhe me Qeverinë e Serbisë – se çfarë aranzhime dhe akomodime mund të bëhen për t’u siguruar që qytetarët të cilët përkatësisht banojnë në Kosovë dhe Serbi të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e vendit të tyre dhe duke vepruar kështu, të jenë në gjendje të përcaktojnë të ardhmen e tyre evropiane. Ne besojmë se është për të ardhur keq që Kosova nuk është anëtare e këtij organi dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të flasë vetë sot. Mezi presim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i kësaj organizate dhe kjo mund të ndodhë.
Ne vazhdojmë të inkurajojmë qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë përparim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që rrit stabilitetin rajonal.
KËTU E GJENI DEKLARATËN E PLOTË
Të shtunën një ditë para referendumit të Serbisë, Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme miratoi një rezolutë me të cilën u shpreh kundërshtimi i plotë që në Kosovë të mbahen votime për referendumin e Serbisë për ndryshime kushtetuese që zhvillohet të dielën me 16 janar.
Rezoluta u harmonizua nga katër grupe parlamentare, të pozitës dhe opozitës, Vetëvendosje, LDK, AAK dhe grupi i pakicave gjashtë plus mori votat e 77 deputëve të pranishëm në sallë në seancën që u thirr nga kryeministri, Albin Kurti. Partia tjetër opozitare PDK, nuk mori pjesë në punimet e seancës, por një ditë më parë, ata u shprehen se janë kundër lejimit të mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë. / Demokracia.com/