Pavarësisht raportimeve të mediave, duket se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është e bindur në pafajësinë e ambasadorit të Kosovë në Kroaci, Martin Berishaj. Të njëjtin, nuk do ta shkarkojë.
Ministrja Gërvalla në një konferencë për media me homologen e saj sllovene, Tanja Fajon, është pyetur edhe rreth kësaj çështje.
“Sa i përket pyetjes së dytë për ambasadorin Berishaj më lejoni të them shkurt, unë kam kërkuar dhe do të vazhdoj të kërkoj, sikur u ngritën spekulimet e para, nga shtetet që janë përmendur që të na japin informacione se a janë të vërteta apo janë spekulime të mediave. Ambasadori nuk shkarkohet për shkak të spekulimeve mediale, ambasadori shkarkohet kur ka arsye faktike pse ambasadorit duhet të shkarkohet.” tha fillimisht ajo.
Sipas saj, deri më tani nuk ka informacione se kanë ndodhur këto shkelje nga ana e ambasadorit Berishaj.
“Deri në këtë moment nuk kam as edhe një informacion të vetëm, do të vazhdoj të kërkoj informacione, nuk kam informacione që shkelje të tilla kanë ndodhur apo që hetime të këtyre natyrave janë duke ndodhur.” – tha ajo.
Në fund, Gërvalla ka thënë se ka biseduar sot në mëngjes me ambasadorin, derisa pretendoi se kanë planifikuar një konferencë të përbashkët për media, por nuk e di se kur mund të realizohet.
“Të presim informacionet zyrtare, unë sot në mëngjes kam folur me ambasadorin Berishaj, ai ka treguar gatishmërinë që ose me shkrim, ose po të kemi mundësi ta sjellim sepse po organizohet një forum me Kroacinë, nuk e di në cilin moment mund të shkëputet, por ai ka treguar gatishmëri që të bëjmë një konferencë të përbashkët për shtyp.” – tha ajo në fund.
Ndërkohë, Fajon, e cila është zëvendëse e kryeministrit slloven, Robert Golob, i cili dyshohej pikërisht si i përfshirë në një aferë me Martin Berishajn, ka refuzuar të flasë rreth kësaj situate.
“Nuk jam e sigurt nëse e mora pyetjen të sigurt, por këto çështje nuk mund t’i komentoj.” – tha ajo.