Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë një vizite në Emiratet e Bashkuara Arabe në fundvit, kishte marrë me vete edhe një kallaballëk këshilltarësh të saj.
Gërvalla qëndroi hiç më pak se vetë e shtata në Abu Dhabi, shkruan Demokracia.com.
Në vizitën në Emiratet e Bashkuara Arabe ajo i kishte marrë me vete këshilltarët Rexhep Gjergji, Sharr Jakupi, Kristian Dodaj, Benit Haxhosaj dhe dy asistente të saj, Berta Gashin dhe Besiana Havollin.
Ndërkohë, në postimet në faqen zyrtare të MPJD-së në Facebook, janë kujdesur që “delegacioni kinez” të mos shfaqet si i plotë nëpër fotografi.
Fotoja e mësipërme është njëra prej fotografive që dëshmon delegacionin e madh të MPJD-së në Emiratet e Bashkuara Arabe në fundvit.
Gjatë kësaj vizite, Gërvalla ka takuar Ministrin e Jashtëm, Sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan, me të cilin ka diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, për progresin dhe sfidat aktuale me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ata kanë folur edhe rreth marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mundësive si të forcohen ato më tutje.
Gërvalla u takua edhe me kryesuesin e Odës së Ekonomisë dhe Tregtisë të Abu Dhabit, Abdullah M. Mazrui, me të cilin diskutoi për mundësinë e bashkëpunimit dhe investimit në industri të ndryshme në Kosovë. /Demokracia.com/