Lajme
Donfried: Vuçiqi e ka të qartë se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke
Demokracia
12:36 | 28 Prill 2022

Share:

Karen Donfried, zyrtarja më e lartë e Departamentit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, u takua pardje me përfaqësuesit e qeverisë serbe në Beograd në kuadër të turneut të Ballkanit. Në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën serbe “Politika”, një ditë pas takimeve me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq, ndihmëssekretarja amerikane e shtetit për Evropën dhe Euroazinë tregon se çfarë ka biseduar me autoritetet serbe në lidhje me Kosovën.

Në takimin me përfaqësuesit e Kosovës, theksuat se status quo-ja është e paqëndrueshme dhe se Serbia dhe Kosova duhet t’i zgjidhin marrëdhëniet e tyre. A ishte ky mesazh edhe për qeverinë serbe?

Besoj se është shumë e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të bashkëpunojnë dhe të zgjidhin marrëdhëniet. Shtetet e Bashkuara mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe marrëveshjen gjithëpërfshirëse që do të rezultojë me normalizimin e marrëdhënieve me fokus në njohjen reciproke. Mekanizmi për të arritur këtë është dialogu në të cilin ndërmjetëson BE. Unë kam folur për këtë në Kosovë dhe kam dëgjuar se ka gatishmëri për t’u angazhuar në atë dialog. Për këtë kam biseduar edhe me Vuçiqin dhe kryeministren. Shpresojmë të bëjmë përparim, ka thënë Donfried, transmeton Paparaci.

A do të thotë se përparimi është njohja reciproke?

Ky është pikërisht përparimi drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të normalizojë marrëdhëniet, me fokus në njohjen reciproke.

Si u përgjigjën për këtë bashkëbiseduesit tuaj në Beograd?

Kam dëgjuar edhe nga presidenti edhe nga kryeministrja se janë të gatshëm të angazhohen në këtë dialog, ka thënë Donfried.

Sa i përket çështjes së vendosjen e sanksioneve nga ana e Serbisë ndaj Rusisë, Donfried ka thënë se çështja e sanksioneve është padyshim mbi tryezën e Vuçiqit.

“Ky është qëndrimi ynë, ndërsa tani Serbia duhet të vendosë se si do të pozicionohet sa i përket sanksioneve. Serbia ka thënë se qëllimi strategjik i politikës së jashtme të saj është anëtarësimi në BE. Tani ajo duhet të vendosë se cila strategji e politikës së jashtme do ta realizojë këtë qëllim”, ka deklaruar në mes tjerash ndihmës sekretarja e shtetit të SHBA, Karen Donfried

Të ngjashme