Lajme
DOKUMENTI top-sekret i Serbisë për sulmet e NATO-s: Në ditën e gjashtë sulmohet kazerma në Prishtinë dhe fabrika e avionëve “Utva”
Demokracia
14:58 | 29 Mars 2022

Share:

Gjatë bombardimit të Serbisë, avionët e NATO-s kishin realizuar mijëra fluturime, duke sulmuar depot dhe fabrikat e armëve të Serbisë në Beograd, Nish, Novi Sad, Prishtinë, Podgoricë dhe shumë caqe tjera të rëndësishme.

Demokracia.com ka siguruar ekskluzivisht raportin top-sekret të Ministrisë serbe/jugosllave të Mbrojtjes të asaj kohe, ku në detaje janë paraqitur sulmet e NATO-s në Serbi, Mal të Zi dhe në Kosovë për 78 ditë radhazi, të cilat do të publikohen çdo 24 orë.

Në këtë raport përmendët numri i bombardimeve brenda një dite, numri i projektilëve, vendet, pasojat në njerëz, dëmet në infrastrukturën ushtarake dhe civile, shkatërrimet e pajisjeve ushtarake, etj.

Demokracia.com sot publikon detajet e bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe të datave 29.03.1999 në kohën nga ora 05:15 deri më 30.03.1999 në orën 04:45.

Dita e re e sulmeve të forcave ajrore të NATO-s ndaj pikave ushtarake dhe policore serbe nisi në orën 05 e 15 minuta në Leskovc. Kazerma ‘K. Stanoviq’ ishte cak i sulmit me pesë projektilë, të cilët goditën dy hangarë të ushtrisë serbe. Në këtë sulm u shkatërruan edhe tri automjete.

Disi ishte qetë në qiell nga kjo orë deri në 14 e 30, kur sulmi i radhës u krye në Surdulicë. Aty u godit një objekt afër kishës me dy raketa, kurse njëra nuk shpërtheu.

Sulm pati edhe në Pançevë, në fabrikën e avionëve ‘Utva’. Sulmi i orës 20 e 30 u ekzekutua me një raketë, por që nuk shpërtheu. Gjithnjë duke u bazuar në raportin top-sekret të Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë (ish RFJ) dhe të cilin ekskluzivisht e ka siguruar Demokracia.com.

Një orë e gjysmë më vonë, në Vranje u tha se është rrezuar një avion i NATO-s, megjithatë ky informacion asnjëherë nuk është vërtetuar. Burimi i këtij informacioni ishte ushtria serbe.

Në Gjilan, 15 minuta pas mesnatës të datës 30 mars 1999 ishin hedhur 5-6 bomba nga aeroplanët e NATO-s, mirëpo për pasoja nuk pati raportim.

Në orën 4 të mëngjesit sulm u krye edhe në Prishtinë, në kazermën ‘Heronjtë e Kosovës’, por po ashtu nuk pati raportime për pasoja në njerëz. Njëjtë ndodhi edhe në Veternik, pra sulm në orën 4 të mëngjesit, por pa pasoja.

10 minuta më pas, NATO-ja goditi fabrikën ‘Sloboda’ në Çaçak, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Në 4 e 35 u godit Aeroporti i Batajnicës. Katër projektilë ranë në objekte, njëri u shkatërrua, ndërsa kazerma ‘Majevica’ në Novi Sad mbeti pa u goditur pasi që raketa doli huq.

Vazhdon…

DOKUMENTI top-sekret i Serbisë për sulmet e NATO-s: Në ditën e pestë vriten dhe plagosën disa ushtarë, rrëzohet ‘Galeb’-i

Të ngjashme