Gjatë bombardimit të Serbisë, avionët e NATO-s kishin realizuar mijëra fluturime, duke sulmuar depot dhe fabrikat e armëve të Serbisë në Beograd, Nish, Novi Sad, Prishtinë dhe shumë caqe tjera të rëndësishme.
Demokracia.com ka siguruar ekskluzivisht raportin top-sekret të Ministrisë serbe/jugosllave të Mbrojtjes të asaj kohe, ku në detaje janë paraqitur sulmet e NATO-s në Serbi, Mal të Zi dhe në Kosovë për 78 ditë radhazi, të cilat do të publikohen çdo 24 orë.
Në këtë raport përmendët numri i bombardimeve brenda një dite, numri i projektilëve, vendet, pasojat në njerëz, dëmet në infrastrukturën ushtarake dhe civile, shkatërrimet e pajisjeve ushtarake, etj.
Demokracia.com sot publikon detajet e bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe më 26 dhe 27 mars të vitit 1999.
Më 26 dhe 27 mars të vitit 1999 sulmet e NATO-s ndaj Serbisë nuk pushonin, edhe pse kreu i shtetit serb asokohe mendonte se kjo fushatë nuk do të zgjaste më shumë se dy ditë.
Në orën 18:00 u sulmua fabrika ‘Sloboda’ në Çaçak. Aty u hodhën tri bomba, për të cilat Ministria e Mbrojtjes së Serbisë thoshte se u shkatërruan në ajër dhe pa pasoja. Në orën 20:00 ishte sulmuar objekti i JSO-së në Kullë. Pesë minuta më pas sulmohet Aeroporti i Nishit, kurse kazerma e ushtrisë serbe në Aleksinc dëmtohet rëndë nga sulmi i orës 21.
Sistemi i radarëve të ushtrisë serbe në Kopaonik goditet në orën 21 e 8 minuta, por sipas serbëve raketa nuk e kishte arritur qëllimin e plotë, përcjell Demokracia.com.
Në Prizren pak pas orës 22:00 ishte sulmuar qendra ndërlidhëse e ushtrisë serbe. Një projektil ia kishte huqur cakut dhe sulmi kishte kaluar më pak dëme materiale.
Po të njëjtën orë, në Gjilan pati sulm ndaj stacionit të autobusë që atëherë njihej si ‘Kosmet Prevoz’. Disa autobusë kishin marrë flakë. Në Gjilan po në 22 e 5 minuta, goditje kishte marrë edhe qendra arsimore e ushtrisë serbe – depoja e pajisjeve manovruese.
Pesë minuta më pas, NATO-ja goditi kazermën e ushtrisë në Gjakovë. Në raportin e siguruar nga Demokracia.com thuhet se aty kishte shpërthyer një zjarr i madh. Ishte radha e Beogradit. Në të njëjtën kohë, në 22 e 45, forcat e NATO-s i sulmojnë gjashtë caqe të forcave serbe në Beograd. Objekti i ushtrisë serbe ‘Zuce’ goditët nga katër raketa. Kazerma në rrugën drejt Zucës me dy raketa. Kazerma ‘Bubanj Potok’ me tre projektilë. Aeroporti ‘Batajnica’ me katër, objekti i ushtrisë –Sremçica me një dhe objekti Zharkovo – objekti i institutit tekniko-ushtarak goditët me një raketë.
Në orën 23:00, tri bomba të NATO-s bien në Prishtinë, në objektin e ushtrisë serbe, duke dëmtuar depo dhe shtëpi.
Ndërsa, 20 minuta pas mesnatës, një raketë e kishte goditur edhe sistemin e radarëve të ushtrisë në Beograd – Kijevo/Knezhevac. /Demokracia.com/
Vazhdon…
DOKUMENTI top-sekret i Serbisë: NATO në ditën e dytë goditi shënjestrat serbe në Kosovë e Mal të Zi