Gjatë bombardimit të Serbisë, avionët e NATO-s kishin realizuar 38.000 fluturime, duke sulmuar depot dhe fabrikat e armëve të Serbisë në Beograd, Nish, Novi Sad dhe Prishtinë.
Demokracia.com ka siguruar ekskluzivisht raportin top-sekret të Ministrisë serbe/jugosllave të Mbrojtjes të asaj kohe, ku në detaje janë paraqitur sulmet e NATO-s në Serbi, Mal të Zi dhe në Kosovë për 78 ditë radhazi, të cilat do të publikohen çdo 24 orë.
Në këtë raport përmendët numri i bombardimeve brenda një dite, numri i projektilëve, vendet, pasojat në njerëz, dëmet në infrastrukturën ushtarake dhe civile, shkatërrimet e pajisjeve ushtarake, etj.
Demokracia.com sot publikon detajet e bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe më 25.03.1999.
Në ditën e dytë të sulmeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe u sulmuan objekte të rëndësishme në Kosovë, duke nisur nga Prishtina, Ferizaj, Gjakova dhe Ferizaj. Nga ora 19 e 30 deri në orën 23:00 u goditën objekti i MUP (Ministria e Punëve të Brendshme) në Prishtinë, ku kishte marrë flakë, por pa dëme në njerëz.
Pastaj në Ferizaj ishin sulmuar caqet e policisë dhe ushtrisë serb. Në këto sulme mbetën të vrarë dy ushtarë, tre të tjerë u lënduan rëndë, derisa edhe një polic mori lëndime të rënda trupore, përcjell Demokracia.com.
Në Gjakovë u sulmua objekti i MUP-it në të cilin ishin të vendosur edhe ushtria. Në Prizren, po ashtu, u godit objekti i MUP-it, derisa dëmet në personal ushtarak dhe policor ishin të mëdha. Aty mbetën të vrarë tre ushtarë, shumë të tjerë u plagosën, derisa dy policë rezultonin të zhdukur në gërmadha.
Në Mitrovicë ishte goditur me një projektil kazerma e ushtrisë. Në Batajnicë sërish u sulmua aeroporti ushtarak. Kësaj here u raportua për dëme materiale, por pa specifikuar se çka ishin.
Në Uzhicë sulm pati në bateritë ushtarake në ‘Çigota’ dhe ‘Tornik’. Në Çaçak, po ashtu, u godit bateria kundërajrore ‘Rudnik’ me dy bomba. Njëjtë ndodhi edhe në Jasterbac, ku raportohej për dëmtime. Në Nish u sulmua kazerma ‘Stevan Singjeliq’ dhe ‘Pantelej’ me shumë projektilë, duke shkaktuar dëme materiale. Në Nish 4-5 bomba të NATO-s ranë në aeroport. 10 bomba u hodhën edhe në Aeroportin ‘Lagjevci’ në Kralevë. Edhe në Hajvali të Prishtinës u sulmua objekti i SAJ/MUP-it.
Në Leskovc u godit kazerma ‘Donje Sinkovve’. Aty pati dëme në depon e armëve, pastaj zjarri shpërtheu në disa objekte tjera në këtë qytet, si ai i stacionit policor, gjykatës, etj.
Posta e Serbisë në Bukul të Arangjelovcit, po ashtu, pësoi dëme të mëdha po ditën e 25 marsit të vitit 1999, raporton Demokracia.com.
Gjatë periudhës kohore nga 19 e 30 deri në 23:00 sulme u kryen edhe në Mal të Zi, duke përfshirë Danilovgradin, Podgoricën dhe Ulqinin. Në Podgoricë u sulmua Aeroporti ‘Golubinci’, kurse në Ulqin kazerma e ushtrisë. Në Podgoricë u sulmuan edhe objektet e ushtrisë, njëjtë sikur edhe në Danilovgrad. /Demokracia.com/