Lajme
Dokumenti ‘sekret’ i CIA-s: Berisha insistonte që Rugova t’i ndalte thirrjet për pavarësi
Demokracia
16:48 | 22 Maj 2023

Share:

Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA-së (CIA), në vitin 1995 kishte përgatitur një raport sekret për situatën në Ballkan. Vëmendje të posaçme në atë raport i ishte kushtuar Kosovës, por edhe Shqipërisë dhe liderit të atëhershëm, Sali Berishës.

Raporti ishte klasifikuar si “Sekret”, i cili tanimë është deklasifikuar dhe Demokracia.com e posedon të plotë.

Raporti, ndër të tjerash tregon si politikani radikal serb, Shesheli, bënte përpjekje për ta kundërshtuar Millosheviqin për mosmbrojtjen e serbëve në Kroaci, kundër ofensivave kroate.

Po ashtu, raporti tregon për liderët aktivistë shqiptarë të Kosovës që kishin vlerësuar se konflikti nuk do të ndizet edhe nëse Bosnja stabilizohet.

Liderët shqiptarë të Kosovës, në nëntor vlerësuan se pavarësisht zhgënjimit në rritje me mungesën e progresit për shkak të lëshimeve nga Beogradi, ikja e të rinjve shqiptarë, si pasojë e politikave represive të Millosheviqit, ia kanë bërë të pamundur shqiptarëve të ngriten kundër serbëve. Këta aktivistë vlerësojnë se konflikti nuk do të ndizet edhe nëse Bosnja stabilizohet“, thuhet në raportin e CIA-s, përcjell Demokracia.com.

Në një kapitull të veçantë, CIA merret edhe me rolin e Shqipërisë dhe ndikimin e ish-presidentit Sali Berisha. Raporti tregon sesi Sali Berisha kishte insistuar tek Ibrahim Rugova, që ky i fundit t’i ndalte thirrjet për pavarësi.

Berisha, me shumë të ngjarë duke njohur dobësinë e pozicionit negociues për shqiptarët etnikë, vazhdon të insistojë që Rugova të ndalë thirrjen për pavarësi dhe u ka thënë diplomatëve amerikanë se ai beson që fillimi i negociatave do ta ndihmojë Rugovën t’u shmanget presioneve nga shumë liderë aktivistë të shqiptarëve kosovarë”, thuhet në dokumentin e inteligjencës amerikane.

Më tutje raporti tregon se për shkak të zgjedhjeve në Shqipëri, edhe vetë Sali Berisha mund të përdorë një linjë më të ashpër në çështjet rajonale të shqiptarëve etnikë.

Një sfidë politike nga Partia Socialiste – ish-komunistët – në zgjedhjet parlamentare pranverën e ardhshme mund ta shtyjnë Berishën të ndjekë një linjë më të ashpër në çështjet rajonale të shqiptarëve etnikë“, thuhet në raportin e CIA-s, të datës 21 dhjetor 1995. /Demokracia.com/

Të ngjashme