Lajme
DOKUMENTE | Zyrtari i Prishtinës që mban dhjetë pozita thotë se është President i Kosovës, kundërkorrupsioni nuk ia prish qejfin
Demokracia
18:00 | 24 Prill 2024

Share:

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka publikuar formularët e pasurisë për zyrtarët e lartë publikë të Kosovës. Deklarimi shpeshherë i ka çuar zyrtarët edhe para drejtësisë, pasi që ka nga ata që s’po e marrin seriozisht APK-në, shkruan Demokracia.com.

Për të treguar që është institucionalist, si shumica e zyrtarëve të deklaruar të LDK-së, Kujtim Raçi mban në rrjetin e tij social Facebook, fotografi të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe të ish-presidentit Fatmir Sejdiu.

Ai edhe në formularin e pasurisë së tij, funksionin e tij publik e ka deklaruar si: President i Republikës së Kosovës.

Me gjasë kjo duhet të ketë qenë ndonjë gafë e bërë në mes shokësh, deri sa Raçi po e plotësonte formularin me shaka, të cilin kur e ka shkruar nga Agjencia e ka pasur të zbrazët rubrikën e deklarimit të institucionit. Por, më pas gafën e ka harrur brenda rubrikave.

Faktikisht, Raçi është vetëm një anëtar i Bordit në Ndërmarrjen Publike “Stacioni i Autobusëve”, të cilin ligji e ka obliguar që të bëjë deklarimin e pasurisë.

Ai edhe mund të ndihet si president, por në fakt nga deklarimi që ka bërë shihet që është në konflikt të interesit. Kjo ngase ka shkruar se është menaxher në disa institucione private. Mbajtja e pozitës menaxheriale në një institucion privat është konflikt interesi.

Neni 13, paragrafi 1 dhe neni 14, paragrafi 1 i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, të cilët përcaktojnë se: “Zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridik privat, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe organizatave joqeveritare, përjashtuar subjektet e përcaktuara në nenin 14 të këtij ligji”.

Ai ka shkruar se është i angazhuar në 10 subjekte nga të cilat merr pagë.

Pos anëtar i Bordit në NP “Stacioni autobusëve”, ai është anëtar i Bordit tek “IFJB Lesna SH.A”, pastaj te OJQ “KPV PAK Prishtina”, OJQ “KV Prishtina”, tek OJQ “Federata e vojlejbollit Ulur”. Po ashtu, ai ka shkruar se është drejtor tek “Info Accounting Consult – IAC O.P”.

Ai është menaxher i financave dhe kontabilitetit në “Alar Consulting sh.p.k”. Pastaj, trajner në “Bussiness Support Centre Kosovo – BSCK”. Ekspert financiar në gjykatat e Republikës së Kosovës dhe profesor në kolegj.

Disa prej pozitave menaxheriale, Raçi i kishte deklaruar edhe në formularin e vitit të kaluar, por si duket Kundërkorrupsioni nuk e ka vërejtur. Ndërkohë, ai nuk e kishte deklaruar pozitën e Presidentit të Republikës së Kosovës, por atë të Anëtarit të Bordit. /Demokracia.com/

Të ngjashme