Lajme
DOKUMENTE| Vetëvendosje po e mbush edhe “Trepçën” me militantë
Demokracia
18:14 | 18 Qershor 2022

Share:

Punësimi dhe angazhimi i militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër ndërmarrje publike nuk ka të ndalur. Pas skandalit me punësime në KEK, tash radha i ka ardhur ndërmarrjes “Trepça”. Në konkursin për “punë praktike” në këtë ndërmarrje, sipas punëtorëve të saj, janë duke i futur dhjetëra militantë të partisë në pushtet.

Misionin e punësimit të militantëve të partisë, pushteti aktual i Albin Kurtit është duke e vazhduar me shumë përkushtim.

Pas “pushtimit” të Korporatës Energjetike të Kosovës me njerëz të partisë, në konkursin që ishte hapur për punësim, i cili u anulua pas raportimit të mediave, Qeveria Kurti po synon ta “pushtojë” edhe ndërmarrjen “Trepça”, shkruan Demokracia.com.

Për punësimin e 180 personave si praktikantë në “Trepçë” dyshohet se janë duke u bërë manipulime të mëdha.

Për t’u rekrutuar fillimisht si praktikantë në këtë ndërmarrje kanë aplikuar 544 kandidatë, nga të cilët kushtet i kanë plotësuar 537.

Këta që i kanë plotësuar kushtet këto ditë e kanë pasur edhe një test me shkrim. Por, ende pa përfunduar procedurat, menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje publike veçse i kishte bërë gati listat e militantëve për angazhim si praktikantë me pagesë qysh në grupin e parë.

Demokracia.com nga burime brenda ndërmarrjes “Trepça” ka arritur ta sigurojë listën e hartuar prej 154 personave, që pritet t’ia fillojnë punës si praktikantë me pagesë, ku një numër i madh i tyre thuhet se janë militantë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo listë e pranimit, siç ka mësuar Demokracia.com, është përgatitur nga njerëzit e Vetëvendosjes në ndërmarrjen “Trepça”.

“Ende pa përfunduar procedura e rekrutimit janë hartuar nga menaxhmenti listat e pranimit. S’ka rëndësi kush ka aplikuar, listat tashmë i kanë gati se kush pranohet”, ka thënë një punëtor i kësaj ndërmarrjeje për Demokracia.com.

Përfshirja masive e militantëve në listën për “punë praktike”, sipas punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje që kanë folur për Demokracia.com në kushte anonimiteti, po bëhet për një qëllim më të madh, që ata të bëhen punëtorë të rregullt në Trepçë.

Siç ka mësuar Demokracia, personat që do ta kryejnë këtë praktikë në Trepçë, praktikisht po përgatiten që në emër të praktikes të pajisen me dokumentacion të përvojës së punës dhe me pas të sistemohen në ndërmarrjen “Trepça”.

Ndërmarrja “Trepça” konkursin për 180 vende të lira për punë praktike e kishte hapur në muajin maj të këtij viti.

Siç ishte bërë me dije, puna praktike do të kryhet në tri grupe, ku secili grup do të ketë nga 60 aplikantë.

“Grupi i parë fillon më datën 01.07.2022, i dyti më 01.12.2022, ndërsa grupi i tretë fillon në muajin qershor të vitit tjetër”, thuhej në njoftimin e ndërmarrjes “Trepça”, përcjell Demokracia.com.

“Trepça” do të sigurojë nga 100 euro në muaj për punën praktike, transportin dhe ushqimin.

Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com ka kontaktuar kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin.

Kurse, pas punës praktike, kandidatët do t’i nënshtrohen testit me shkrim për t’u pajisur me certifikatë.

Dy muaj më parë, pushteti aktual i Lëvizjes Vetëvendosje ishte përballur me skandalin e konkursit të KEK-ut, që ishte përcjell me punësime masive familjare e politike.

Afër 120 të punësuar nga 128 sa ishin pranuar gjithsej në Korporatën Energjetike të Kosovës kishin rezultuar të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me punëtorë të KEK-ut. Ndërkaq, 40 prej tyre kanë deklaruar haptazi se kanë familjarë të punësuar në këtë institucion.

Në konkursin e KEK-ut, që ishte hapur në nëntorin e 2021-ës, kishin aplikuar plot 4 mijë e 668 persona. Vetëm 128 ishin pranuar në pozitat përkatëse që u kërkuan.

Pas raportimeve në media, Korporata Energjetike e Kosovës e kishte anuluar konkursin. Ky vendim ishte marrë edhe pas rekomandimit nga Komisioni i Pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit./Demokracia.com/

Lista me 537 kandidatët që fillimisht plotësuan kriteret dhe kaluan në testin me shkrim, që u mbajt të enjten, më 16 qershor.

Të ngjashme