Lajme
DOKUMENTE | Tenderi milionësh në Prishtinë i jepet vëllezërve të njeriut të LDK-së dhe një kompanie që po gjykohet për falsifikim të dokumenteve
Demokracia
20:42 | 25 Dhjetor 2023

Share:

Më 24 tetor të vitit 2022, Komuna e Prishtinës kishte hapur një tender që ka të bëjë me trajtimin me zhavor në rrugët dhe fshatrat e kryeqytetit. Për më shumë se një vit sa kishte qëndruar i hapur, kontratat kanë arritur të nënshkruhen tash. Njëra i është dhënë familjarëve të një njeriu të afërt me kryetarin Përparim Ramën, ndërsa tjera një kompanie që para pak javëve ka qenë e ulur në bankën e akuzës nën dyshimet për falsifikim të dokumenteve, shkruan Demokracia.com.

Tenderi “Trajtimi i rrugëve me zhavorr në fshatrat e Komunës së Prishtinës”, vlera e të cilit është 1 milionë euro, me mundësim rritjeje është i ndarë në dy lote (pjesë) dhe po ashtu dy kontrata edhe janë nënshkruar për të. E para është nënshkruar në gusht, ndërsa e dyta në fund të javës së kaluar, ngase kishte ngecur në Organin Shqyrtues të Prokurimit nën pretendimet për shkelje ligjore.

Pas rivlerësimit të bërë, Komuna e Prishtinës është përcaktuar që lot 2 t’i jepet konzorciumit N.SH.T. “VIKTORY COM”; Marisa SH.P.K.; Company Murseli SH.P.K.

Vlera indikative e kontratës është 400 mijë euro, por është lënë në dorën e menaxherit të saj që të mund t’i rritet vlera edhe për disa mijëra euro.

Pronarët e kompanisë po ndiqen penalisht

Pronarët e kompanisë “Victory Com” dhe përfaqësues të kompanisë “Company Murseli SH.P.K” kanë aktakuzë të ngritur për falsifikim.

Seanca e fundit e mbajtur ndaj tyre në Gjykatën Themelore në Gjakovë është mbajtur në tetor të këtij viti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 gusht 2023, të pandehurit Pjetër Qerimi dhe Bledar Kusari, gjatë muajit nëntor të vitit 2019 kanë shkelur nenin 65, 69 dhe nenin 71, paragrafi 3 të Ligjit për Prokurimin Publik, duke paraqitur dokumente të rreme, me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit te autoriteti kontraktues.

Në aktakuzë thuhet se Pjetër Qerimi në cilësinë e pronarit të biznesit N.T.SH. “Viktory Com” me seli në Bec, Komuna e Gjakovës, si grup i operatorëve ekonomikë në konzorcium me kompaninë “Murseli” SH.P.K, me seli në Doganaj, Kaçanik, ka ofertuar në mënyrë të kundërligjshme në tenderin me numër të prokurimit “Ri-shpallje Mirëmbajtja e auto rrugëve pjesa e parë, mirëmbajtja dimërore e rrugëve urbane”, të datës 7 nëntor 2019.

Aktakuza thotë se duke prezentuar në aktivitetin e prokurimit kontratat e punës së 4 janarit 2017, në çmimin total të punëve 150 mijë euro, të datës 12 janar 2017 me çmim total të punëve 30 mijë euro, si dhe referencat e datave 15 shtator 2019 në vlerë prej 150 mijë euro, dt. 10 gusht 2019, në vlerë prej 30 mijë euro dhe dt. 9 shtator 2019 në vlerë prej 50 mijë euro, të cilat kontrata pune dhe referenca kanë qenë fiktive.

Me këto, Qerimi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” nga neni 415, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Tutje, aty thuhet se i pandehuri Diamant Murseli në cilësinë e pronarit të biznesit “Grand Construcion” SHPK, me seli në Ferizaj, ka lidh kontratë pune më 4 janar 2017 me pronarin e biznesit N.SH.T “Victory Com”, Pjetër Qerimi, në çmimin total të punëve 150 mijë euro dhe më 15 shtator 2019, lëshon referencën për biznesin në fjalë në vlerë prej 150 mijë euro, për punët që nuk janë kryer. Murseli është menaxher edhe te “Company Murseli”.

Aktakuza thotë se i pandehuri Suad Çmega, nga viti 2017 deri në vitin 2019, në cilësinë e pronarit të biznesit “Geo Projekt” SH.P.K, me seli në Ferizaj, lidh kontratë pune më 12 janar 2017 me pronarin e biznesit N.SH.T “Victory Com”, Pjetër Qerimi, në çmimin total të punëve 30 mijë euro dhe më 10 gusht 2019 lëshon referencën për biznesin në fjalë në vlerë prej 30 mijë euro, për punët që nuk janë kryer.

Gjithashtu, thuhet se i pandehuri Agim Dedaj në cilësinë e pronarit të biznesit “Art Konstruksion” SH.P.K, me seli në Gjakovë, lidh kontratë pune më 25 nëntor 2017 me pronarin e biznesit N.SH.T “Victory Com”, Pjetër Qerimi, në çmimin total të punëve prej 50 mijë euro, për punët që nuk janë kryer.

Aktakuza thotë që për të gjitha këto punë, Qerimi e prezanton kontratën dhe referencën e falsifikuar në aktivitetin e prokurimit të dates 7 nëntor 2019, që pas verifikimit nga ATK, rezulton se kontrata dhe referenca janë jo të rregullta-fiktive, të lëshuara me qëllim të kompletimit të dokumentacionit për tenderim.

Për këto veprime, Murseli, Çmega dhe Dedaj po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit” nga neni 390, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Komuna e Prishtinës kërkoi që “Murseli” të futet në “listën e zezë”

Demokracia.com ka gjetur se në fund të vitit të kaluar, komuna kishte hapur thirrjen për tenderin për rrënimin e ndërtimeve pa leje, ku e kishte shpërblyer më kontratë konzorciumin “Dardaniaa”  & “Niti”, kurse e kishte eliminuar ofertën e kompanisë “Company Murseli”. Oferta e saj ishte anuluar më arsyetimin se nuk ka ofertuar me disa dokumente valide.

Andaj kishte kërkuar nga Organi Shqyrtues i prokurimit që e njëjta të futet në “listën e zezë”.

Ndonëse kërkesa është bërë që disa muaj, OSHP-ja ka arritur të nxjerrë një vendim refuzues vetëm në fund të javës së kaluar. Vendimi i OSHP-së e ka hedhur poshtë pretendimin e komunës.

Një kontratë edhe për të afërmit e zyrtarit komunal

Derisa lot 2, që ka të bëjë me trajtimin e rrugëve me zhavorr në fshatrat e Komunës së Prishtinës, është nënshkruar në fund të javës së kaluar. Në gusht të këtij viti, komuna kishte arritur të nënshkruante kontratën për lot 1, pasi nuk kishte pasur ankesa. Siç ka gjetur Demokracia.com, kontrata ishte nënshkruar më kompaninë “Integral” SHPK.

Vlera e saj indikative ka qenë 600 mijë euro. Edhe në këtë është lënë mundësia e hapur, që të rritet vlera e saj nëse autoriteti kontraktues ka nevojë. Kjo kompani ka fituar disa kontrata me rikthimin e LDK-së në Komunën  e Prishtinës.

Njërin prej vëllezërve të pronarëve të kësaj kompanie, Fadil Aliun, kryetari Përparim Rama e ka emëruar Shef të Personelit dhe qëndron pothuajse gjithmonë afër kryetarit. I njëjti është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike. Ndërsa, pronarë të kompanisë “Integral” janë dy vëllezërit e njeriut të Ramës, Jeton Aliu dhe Agim Aliu. /Demokracia.com/

Të ngjashme