Lajme
DOKUMENTE| Sveçla përkujdeset për “komoditetin” e shefit të tij me rreth 80 mijë euro, zyra e Kurtit ndryshon me “rrënjë”
Demokracia
18:33 | 10 Mars 2023

Share:

Ministria e Punëve të Brendshme, që drejtohet nga Xhelal Sveçla, ka dhënë një tender në vlerë të 80 mijë eurove për rregullimin e zyrës së shefit të tij, Albin Kurtit. Me këto para është thënë se do ndryshohen shumë hapësira, duke filluar nga tualetet, dyert, plafoni, pllakat. Po ashtu, do të blihen edhe tepihë e perde të reja.

Zyrat e Albin Kurtit tash e tutje do të duken më ndryshe.

Për ndryshimin e ambientit të punës së shefit të tij është kujdesur Xhelal Sveçla, i cili drejton Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Që Kurti të ndjehet më komod në zyre do të shpenzohen afro 80 mijë euro, shkruan Demokracia.com.

Në tenderin e shpallur është treguar se Zyra e Kryeministrit do të pësojë ndryshime të mëdha, duke filluar nga tualetet, perdet e tepihët.

Të gjitha këto pajisje padyshim që janë të kualitetit të lartë dhe kjo është dëshmuar edhe në fotografitë që janë paraqitur në tenderin e dhënë.

“Renovimi i sallave dhe hapësirave të ndryshme në ndërtesën e Kryeministrisë. Vlera e përgjithshme e kontratës 78,400.95 euro. Data e dhënies së kontratës 09.03.2023. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 13.03.2023. Emri i operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata “U-UNIQUE SH.P.K.”, thuhet në njoftimin e shpallur, shkruan Demokracia.com.

Në dosjen e tenderit është treguar me detaje se çfarë pune do të bëhet në ndërtesën e Qeverisë, tek zyra e kryeministrit Kurti.

“Në ndërtesën e Kryeministrisë në katin Përdhesë dhe Katin e II-të do të rinovohen disa hapësira. Në përdhese do të rregullohet salla e takimeve të Qeverisë P-31 ku do të ndërrohet tepisoni, në sallën P-38 pjesët anësore ku janë të vendosura perdet do të largohen dhe bëhet ndarje me knauf si dhe pllaka dekorative. Në sallën P32 do të ndërrohet tepisoni dhe perdet, në përdhesë do të bëhet renovimi i komplet sanitarjeve. Në katin e II-të do të ndërrohet laminati, dyert në zyre dhe amstrongu”.

Po ashtu është treguar se në këto punë janë të përfshira të gjitha hapësirat dhe materialet të cilat do të demolohen.

“Si dyert, tepisonat, dyshemeja, perdet, plafonët. Në toilete; të gjitha elementet e sanitarisë, dyert, plafoni, pllakat etj. Materiali i demoluar duhet të largohet vazhdimisht duke pas parasysh që ky objekt është me frekuencë të lartë dhe i rëndësisë në objekt”.

Ministria ka kërkuar që elemetet sanitare duhet te jenë me kualitet të lartë.

“Elementet e sanitarisë duhet të vendosen nga kualiteti më i lartë (klasi I-rë) pasi që kemi të bëjmë me objekt ku frekuentohet nga zyrtar të lartë vendor e ndërkombëtar. Pajisjet hidrosanitare duhet të jenë të kualitetit të lartë konform me standardet dhe rregullativat në fuqi. Lloji, ngjyra dhe preferencat tjera të veçanta mund të caktohen nga investitori dhe organi mbikëqyrës. Pas montimit të pajisjeve hidrosanitare duhet të bëhet testimi dhe të verifikohet funksionaliteti i tyre”.

Po ashtu është kërkuar që pajisjet hidrosanitare që janë paraparë të vendosen janë lavamanë, guaca, lavamanët e guacat për persona me aftësi të kufizuara, pisoarët dhe të gjithë aksesorët adekuate, si pasqyrat, bateritë, shportet, tharëset e duarve dhe mbajtëset e ndryshme. /Demokracia.com/  

Të ngjashme