Punësimet familjare të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të partnerit të koalicionit në Komunën e Shtimes, duke rehatuar njerëzit e tyre nëpër pozita të ndryshme në administratë, nuk kanë të ndalur.
Vetëm në konkurset e fundit janë pranuar nëntë persona dhe të gjithë familjarë të zyrtarëve të lartë të Komunës së Shtimes nga LVV-ja dhe LDK-ja.
Në konkursin e Drejtorisë së Arsimit për Administratore/Sekretare në Institucionin Parashkollor “Albiona Asllani” është punësuar Arbona Qorrolli, kunatë e Adnan Ademit, Kryesues i Kuvendit të Komunës së Shtimes nga Lëvizja Vetëvendosje.
Demokracia.com ka siguruar vendimin për punësimin e Arbona Qorrollit.
Demokracia.com ka provuar të kontaktojë edhe me Kryesuesin e Kuvendit, Adnan Ademin, për të kuptuar nëse ka ndikuar në punësimin e kunatës së tij, megjithatë ai nuk i është përgjigjur interesimit të mediumit.
Ndërsa, në konkursin e Drejtorisë së Arsimit për edukatore për grupmoshën 3 deri në 6 vjeç në Institucionin Parashkollor “Albiona Asllani” janë pranuar nëntë kandidate, ku katër prej tyre rezultojnë të afërta me drejtorët e LVV-së në Komunën e Shtimes.
Valentina Rushiti e pranuar për edukatore në Institucionin Parashkollor “Albiona Asllani” është kunata e zyrtares së Arsimit në Shtime, Tringa Rushiti Xhelili.
Donjeta Emini-Veliu, po ashtu e punësuar si edukatore në këtë institucion, është kushërira e drejtorit të Drejtorisë për Planifikim Urban, Kadaster dhe Gjeodezi, Grejtalb Emini.
Demokracia.com ka kontaktuar me Drejtorin e Planifikimit Urban, Kadastër dhe Gjeodezi, Grejtalb Emini, për ta pyetur nëse ka ndikuar në punësimin e kushërirës së tij, megjithatë ai e ka mohuar një gjë të tillë.
“Unë jam Drejtor i Kadastrës, nuk kam lidhje me Drejtori të Arsimit”, ka thënë Emini për Demokracia.com.
Jetmire Selmani, e cila është kunata e ish-asambleistes Heroina Selmani, është punësuar po ashtu edukatore në këtë institucion.
Ndërsa, Drita Januzi-Beqa, po ashtu e punësuar edukatore në këtë institucion, është kushërira e drejtorit të Drejtorisë për Administratë, Valon Januzit.
Lidhur me punësimin e kushërirës së tij, Drejtorit të Administratës, Valon Januzit, pyetja e gazetares i është dukur ofenduese.
“Nuk është kjo pyetje që duhet me ma ba mu, unë nuk jam pjesë e komisionit. Aty ka rregulla, ka standarde dhe nuk ka nevojë ju mem bo kso pyetje dhe nuk duhet mem pyet mua për këtë gjë. Ky është ofendim”, ka thënë Jonuzi për Demokracia.com.
Po ashtu, punësime ka pasur edhe për familjarët e partisë në koalicion, LDK-së.
Në konkursin e Drejtorisë së Arsimit për shkollat “Emin Duraku”, Institucionin Parashkollor “Albiona Asllani” dhe shkollën “Hasan Prishtina”, të gjitha të punësuarat janë të afërta me partitë në koalicion, LVV dhe LDK.
Albina Bytyçi – Emini, bashkëshortja e ish kryetarit të LDK-së në Shtime, Kadri Emini, njëherit anëtar i Kuvendit të Komunës së Shtimes, është punësuar në pozitën asistente për fëmijë me nevoja të veçanta (për kohë të pacaktuar) në shkollën “Emin Duraku” në këtë komunë.
Po ashtu edhe Ganimete Salihi-Emini, bashkëshortja e kushëririt të drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm, Kadastër dhe Gjeodezi, Grejtalb Emini, është punësuar në pozitën asistente për fëmijë me nevoja të veçanta (për kohë të pacaktuar) në institucionin parashkollor “Albiona Asllani”.
Ndërsa, Leonora Sahiti, bashkëshortja e ish drejtorit të Arsimit, Lulzim Sahiti, është punësuar në pozitën asistente për fëmijë me nevoja të veçanta (për kohë të pacaktuar) në shkollën “Emin Duraku” në Shtime.
Trëndelinë Spahiu-Rexha, bashkëshortja e drejtorit të shkollës së fshatit Muzeqinë, Festim Rexha, i zgjedhur drejtor në mandatin e LVV-së, është punësuar në pozitën asistente për fëmijë me nevoja të veçanta (për kohë të pacaktuar) në shkollën “Hasan Prishtina” në Shtime.
Demokracia.com, po ashtu, kishte raportuar edhe për disa punësime në arsim në këtë komunë, në konkurset e mëparshme të udhëhequra nga ish drejtori i Arsimit, Lulzim Sahiti.
Në konkursin e vitit të kaluar, nga Drejtoria e Arsimit janë kujdesur që të punësojnë edhe familjarë të këshilltarëve të Kuvendit Komunal.
Demokracia.com kishte raportuar se Jetmire Selmani, tanimë e punësuar, fillimisht ishte punësuar edukatore zëvendësuese në shkollën fillore “Bajram Curri” në fshatin Petrovë.
Po ashtu ishte publikuar edhe vendimi i Komunës së Shtimes, ku Selmani ishte përzgjedhur edukatore zëvendësuese në këtë shkollë.
Ndërsa, Mustafë Mustafa, xhaxhai i asamblistes Shkurte Mustafa, ishte punësuar në shkollën “Hasan Prishtina” në fshatin Godanc.
DOKUMENT| Vazhdon nepotizmi në Shtime, “çlirimtari” rehaton edhe familjarët e asamblistëve
Ndërkohë, kujtojmë se ish-drejtori i Arsimit në Shtime, Lulzim Sahiti, në janar të vitit 2023 kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, përderisa largimin e tij nga kjo pozitë e kishin paralajmëruar opozita se është bërë në këmbim të punësimit të bashkëshortes së tij.
Anëtari i Kuvendit, Reshat Mujota, më datë 27.01.2023 kishte parashtruar pyetjen nëse dorëheqja ishte e lidhur me punësimin e gruas së tij, ndërsa përgjigjen e kishte kthyer drejtoresha e re e emëruar, Yllka Fejzullahu, duke thënë se dorëheqja e drejtorit të DKA-së ishte për arsye personale dhe nuk ndërlidhet me aludimin.
Nën menaxhimin e Lulzim Sahitit, arsimi në Komunën e Shtimes u karakterizua me politizim të skajshëm të shkollave, drejtorëve të shkollave (3 drejtorë politikë ende janë në funksion), kërcënime për largime nga puna, shantazh i drejtorëve të shkollave, kërkesë për favore në këmbim të subjektit politik (VV). Pastaj, me konkurse të punësimit të kurdisura (punësimi i të afërmve të pushtetarëve, anëtarëve të Kuvendit dhe familjarëve të tyre), me keqpërdorime të bursave për studentë, me keqpërdorimin e Kontratës “Caritas Kosova” për të punësuar njerëz, etj. /Demokracia.com/