Lajme
DOKUMENTE: RTK nis reformën për “largimin” e burokracisë, ndryshime edhe në paga
Demokracia
20:05 | 29 Nëntor 2023

Share:

Radio Televizioni i Kosovës (RTK), ka nisur një reformë apo ristrukturim të brendshëm.

Drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, përmes një e-maili i ka njoftuar punëtorët për planin dhe qëllimin e reformës, shkruan Demokracia.com.

“Në maj-qershor të këtij viti, në takimet e përbashkëta kam takuar secilin prej jush për të prezantuar planin dhe qëllimin e reformës. Ky proces është zyrtarizuar si ristrukturim i RTK-së, pas diskutimeve, raporteve dhe analizave të detajuara që dëshmonin se transmetuesi publik ka defekte serioze në strukturën aktuale organizative e strukturore”, ka shkruar Ahmetxhekaj, në e-mailin që e ka parë Demokracia.com.

Ai ka theksuar se në fund të këtij procesi do të ketë më shumë prodhim e më pak burokraci.

“Pas një viti pune intensive, bashkë më profesionistët e RTK-së, kemi arritur tek drafti i Rregulloreve përkatëse që mundësojnë zbatimin e ristrukturimit të RTK-së, e që në bindjen time është afër objektivit kryesor të kësaj reforme. Kjo reformë strukturore po e rikthen fokusin e transmetuesit publik tek ata që prodhojnë e që janë shtylla e përmbushjes së misionit tonë. Për të qenë sa më transparent dhe gjithëpërfshirës, në grupin punues kanë qenë të përfshirë 14 veta dhe poashtu në të gjitha takimet kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësuesit sindikal”, ka thënë ai në letër.

Ahmetxhekaj, po ashtu, ka njoftuar edhe për ndryshimin e koeficientëve.

“Drafti i rregulloreve dhe veçmas pjesa për koeficientet që është shpërndarë tek ju i fragmentuar, është vetëm fillimi i një procesi që ka edhe disa filtra të tjerë dhe si dokument i tillë nuk është final. Ky dokument është baza e parë e diskutimeve dhe trajtimit të të gjitha neneve dhe elementeve të tjera, të cilat do t’i zhvillojmë në një punëtori të përbashkët me Bordin e RTK-së. Në këtë fazë, përderisa është vetëm draft, Menaxhmenti nuk mund të fillojë diskutimet për planin e zbatimit, e as të ofrojë opsione individuale të risistemimit, pa e marrë aprovimin paraprak nga Bordi. Megjithatë është me rëndësi të kuptohet se baza e ekzistencës së RTK-së është publiku”, shprehet ai.

Ahmetxhekaj thotë se RTK duhet të rrisë prodhimin e të zvogëlojë burokracinë, në mënyrë që secili të jap kontributin maksimal që ta betonojnë RTK-në si transmetues të pavarur dhe kredibil.

 

Demokracia.com ka siguruar edhe draft-propozimet për koeficientët në RTK.

Korrespodenti i RTK-së, sipas kësaj liste, do të paguhet 856 euro. Videogazetari hulumtues do të paguhet 856 eur0. Një gazetar hulumtues do të paguhet 808 euro, po aq sa videoreporteri. Një audioreporter dhe një reporter do të paguhet 760 euro. Gazetari, 665.85 euro. Korrespodenti në Kosovë, 760.98 euro, etj.

Të ngjashme