Lajme
DOKUMENTE | Prokurimi Qendror e shkeli fort ligjin, paguan vetura me qira jashtë skadencës së kontratave
Demokracia
21:01 | 31 Janar 2024

Share:

Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), pos që i kryen të gjitha procedurat prokuruese për agjencitë në Kosovë, është edhe përgjegjëse për zhvillimin e prokurimeve të përbashkëta për Autoritete Kontraktuese. Ky institucion, si asnjë tjetër duhet të kujdeset për zbatueshmërinë e Ligjit të Prokurimit Publik. Demokracia.com ka verifikuar një rast se ky autoritet publik, i cili është nën juridiksionin e Ministrisë së Financave, e ka shkelur rëndë ligjin për dy kontrata dhe është duke qëndruar në shkelje edhe sot.

Përdorimi i rreth 400 veturave nga disa institucione publike qendrore është duke u bërë jashtëligjshëm që disa javë. Kjo me fajin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit, e cila është duke qëndruar thellë në shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik. Ky institucion është duke përdorur dy kontrata për furnizim me vetura me qira, ndonëse validiteti i tyre ka skaduar që dy muaj.

Në tetor, AQP-ja ka nënshkruar dy kontrata për marrjen e veturave me qira për disa institucione të nivelit lokal dhe qendror. Çuditërisht, kontratat kanë pasur validitet vetëm dy muaj.

Për lot 1, kontrata është nënshkruar më kompaninë ‘Auto Mita’ në një shumë prej 197,880.00 euro.

Kontrata për lot 2 është nënshkruar më kompaninë ‘Mercom Company SH.P.K.’, në një shumë prej 65,952.00 eurove. Për lot 1 janë 360 vetura, ndërsa lot 2 janë rreth 70 vetura.

 

Siç shihet në dy kontratat, aty shkruan se çmimi i vendosur është e vetmja pagesë që duhet t’ua bëjë ofertuesve. “Ai duhet të jetë i prerë dhe të mos i nënshtrohet ndryshimeve”, thuhet në kontratë për çmimin, i cili tashmë i është nënshtruar ndryshimeve për shkak se institucionet po i përdorin ato vetura, ngase AQP-ja nuk i ka ndërprerë ende kontratat.

Që nga Zyra e Kryeministrit dhe Zyra e Presidencës e deri tek disa komuna, këto janë të gjitha institucionet që po përdorin veturat jashtëligjshëm:

(Kontrata e plotë – LOT 1 Këtu)

Në mes të të dhënave të kontratës dhe paramasës, e cila e ka të përfshirë sasinë e automobilave, ka një mospërputhje serioze. Në hyrje të kontratave thuhet se ajo skadon më 05.12.2023, ndërsa brenda në paramasë tek sasia e veturave shihet se kontrata u skadon më data të ndryshme, duke filluar nga 26 nëntori. (shih të dhënat tek vija e kaltër në tabelat e mësipërme dhe shihe datën e lidhjes së kontratës në fotot më lartë).

Edhe kontrata lot 2 është e njëjtë dhe ka mospërputhje të datave.

(Kontrata e plotë – LOT 2 Këtu)

Se kontratat janë akoma aktive e thotë edhe vetë AQP-ja. Në ueb-faqen e saj zyrtare shihet se cilat kontrata janë aktive dhe kjo bëhet me një shënim nga vetë ky institucion.

Shtatë milionë euro për blerje të veturave, shteti i bën gati edhe 10 milionë për marrjen me qira të tyre

Ditë më parë, Demokracia.com ka raportuar se pushteti majtist, i cili udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, ka vendosur që për disa miliona euro ta rrisë pasurinë e aseteve publike. 6.9 milionë euro janë planifikuar që këto ditë të shkojnë në blerjen e veturave zyrtare. Pos kësaj, mbi 10 milionë euro të tjera janë bërë gati për marrjen me qira të veturave.

Fiks 10,645,800.00 euro është vlera e mjeteve të ndara nga shteti për marrjen e veturave me qira për një periudhë prej 60-muajsh.

Siç ka parë Demokracia.com, tenderi është hapour më 29 dhjetor 2023 dhe bëhet fjalë për marrjen me qira të 576 vetura për 38 institucione publike, komuna, ndërmarrje, agjenci e ministri.

Vlera e parashikuar për 1 veturë për 1 muaj nuk do të ndryshojë, ndërsa AQP është duke rikonfirmuar kërkesat e institucioneve dhe numri i veturave mund të ndryshojë, që njëherësh mund ta ndryshojë edhe vlerën e parashikuar totale.

   

Para pak ditëve, AQP-ja ka lidhur tri kontrata për një tender që ka të bëjë për “Vetura me qira” për disa institucione, për një periudhë prej 12-muajsh. Çmimi për to është fiks 1,617,770 euro.

Kontrata e parë është lidhur me kompaninë “Auto Mita”, në një vlerë prej 391,160.88 eurosh. E dyta, po ashtu, me këtë kompani në një vlerë prej 806,346.24 eurosh dhe kontrata e tretë me kompaninë “Mercom Company SH.P.K”, në një vlerë prej 420,264.00.

Agjencia Qendrore e Prokurimit tashmë ka lidhur dy kontrata që kapin shifren mbi 2.5 milionë euro për blerjen e veturave zyrtare.

“Furnizim me vetura për institucionet e Republikës së Kosovës”. Kështu quhet tenderi që është hapur në qershor, në vlerë prej 6,900,000.00 eurosh.

Veturat janë dedikuar për afro 30 institucione dhe është kërkuar që të ofertohet për 15 modele. Kaq kontrata do t’i lidh edhe AQP-ja.

Para pak ditëve, një kontratë e parë është lidhur më “PORSCHE KOSOVA SH.P.K”, për blerjen e modelit të 13-të veturave, e cila kap vlerën prej 1,589,750.00 eurosh.

Për modelin e dhjetë, dje është lidhur një kontratë me “KOSOVA MOTORS J.S.C. SH.A”, vlera e të cilës është 1,140,180.00 euro.

Ndërsa, për arsye të kërkesave për rishqyrtim, mbesin të pezulluara brenda afateve kohore ligjore Lot 1; Lot 2; Lot 3; Lot 4; Lot 5; Lot 6. Ndërsa, Lot 7; Lot 8; Lot 11; Lot 12; Lot 14 dhe Lot 15 janë anuluar.

Gjashtë kompani kanë ofertuar në të gjitha pjesët.

Afati i liferimit të veturave është 100 ditë nga data e porosisë. Veturat duhet të jenë të reja dhe për aplikim ofertuesit duhet të ofrojnë vetura të vitit 2023, ndërsa gjatë vitit 2024 veturat mund të jenë prodhim i vitit 2023 ose 2024, por gjithsesi duhet të jenë të reja. Në rast të ndërrimit të dimensioneve nga prodhuesi, ato do të pranohen me dimensionet e reja, mirëpo modeli duhet të jetë i njëjti. Ndërsa, në rast se gjatë kohëzgjatjes së kontratës ka ndryshim në fuqinë dhe kapacitetin e motorit do të pranohen veturat me specifikat e reja të ofruara nga prodhuesi. /Demokracia.com/ (M.B).

Të ngjashme