Lajme
DOKUMENTE| Pak muaj pasi u mbyllën hetimet për falsifikim të certifikatave, Ministria e Mbrojtjes shpërbleu dy herë me tender njëburimor “Beni Donen”
Demokracia
12:52 | 04 Tetor 2023

Share:

Institucioni më i ndjeshëm, Forcat e Sigurisë së Kosovës, shpeshherë po vihen në rrezik nga shteti që t’u sigurohet buka e gojës. Kjo për shkak të keqmenaxhimit të tenderëve që po i bënë Ministria e Mbrojtjes për shërbimet e ushqimit.

Mosplanifikimi me kohë i procedurave të prokurimit po i detyron institucionet publike që të realizojnë kontrata vetëm me negocim. Ky veprim është një kancer me të cilin prej disa vitesh po përballen institucionet e shtetit, i cili dërgon në veprime korruptive. Duke mosproceduar më kohë për një kontratë të hapur, e cila do të ishte konkurrente, brenda pak muajve Ministria e Mbrojtjes ka shmangur konkurrencën për të realizuar një kontratë për furnizim më ushqim, shkruan Demokracia.com.

Kompania “Beni Dona Plast” SHPK është shpërblyer përsëri me tender nga Ministria e Mbrojtjes, vetëm disa muaj pasi janë mbyllur hetimet ndaj saj për falsifikim të dokumenteve. E njëjta kompani është vlerësuar e papërgjegjshme në një tender të hapur që e ka në procedurë kjo ministri.

‘’Shërbimet me ushqim (furnizimi, përgatitja dhe servimi) për nevoja ekstreme emergjente të FSK-së dhe MM-së”. Kështu quhet kontrata që është lidhur më negocim këtë martë në mes ministrisë dhe kompanisë “Beni Dona”. Kohëzgjatja e saj do të jetë 6 muaj, ndërsa vlera totale financiare është 2,245,480.00 euro.

Kjo është kontrata e dytë brenda gjashtë muajve që është lidhur më negocim më këtë kompani. Një tjetër më kohëzgjatje gjashtëmujore ishte lidhur më prill të këtij viti, në një vlerë prej 2,142,400.00 euro.

Demokracia.com ka analizuar dosjen e këtij tenderi dhe aty është vendosur edhe kërkesa e përshtatshmërisë profesionale, ku është kërkuar që operatori ekonomik ndër tjera të posedojë edhe: 1) Kërkesa 7. Certifikata ISO 9001 2015 (sistemi i menaxhimit të cilësisë) – duhet të jetë valide, 2) Kërkesa 8. Certifikata ISO 22000 2018 (sistemi i menaxhimit të cilësisë ushqimore) – duhet të jetë valide.

Hetuesia ka pushuar hetimet për falsifikimin e certifikatave

Pikërisht lidhur më këto dy certifikata është bërë një hetim disamujorë nga Policia e Kosovës lidhur më tenderin paraprak, i cili ishte realizuar më procedurë të hapur e që ishte lidhur me “Beni Dona”. Hetimet fillestare kishin rezultuar se certifikatat kanë qenë të falsifikuara, por megjithëkëtë hetimet janë pushuar.

Kompania ‘Beni Dona Plast’, në vitin 2019 kishte fituar një tender në çmim prej mbi 8 milionë euro e gjysmë nga Ministria e Forcës së Sigurisë për ushqimin e ushtarëve të Kosovës. Një vit më vonë, Prokurorisë i ishte dërguar një raport policor, me gjetje që çonin në dyshime se kompania ‘Beni Dona’ e kishte fituar këtë tender, duke falsifikuar dy certifikata të një kompanie gjermane. Për këtë rast, shefi i Njësisë së Veçantë të Hetimeve (ish-Task Forca Antikorruspsion), majori Shemsi Haziri kishte shkruar një raport alarmues përmes të cilit kishte njoftuar udhëheqësit e Qeverisë për dyshimet lidhur me korrupsionin në nivelet më të larta. Pas pothuajse një viti që kur ky raport i Hazirit është në tavolinat më të rëndësishme të shtetit, i njëjti vazhdon të jetë i mbuluar nga pluhuri.

“Me datën 10 shtator 2020 përmes Raportit Policor është informuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se tenderi i fituar nga Operatori Ekonomik “Beni Dona Plast” me numër prokurimi nr. 217-18-2029-2-1-1 me titull “Shërbimet me ushqim … nëpër të gjitha kuzhinat e FSK-së” dyshohet që ISO certifikatat janë të falsifikuara dhe këtë e vërteton emali zyrtar i dërguar me datë 25 shtator 2020 nga zyrtarja përgjegjëse e kompanisë Royal Cert, Carolin Hofner (emali i datës 25.09.2020)”, thuhet në një pjesë të këtij raporti, përcjell Demokracia.com.

Ministria e keqmenaxhon tenderin më procedurë të hapur, nuk i plotësoi kushtet as “Beni Dona”

Tash e sa vite, ushqimi për ushtarët e shtetit shërbehet nga kuzhinat jashtë kazermave. Pra, bëhet më tender. Prokurimi i ministrisë i di telashet që mund t’i dalin gjatë rrugës për të lidhur një kontratë të tillë, por po procedon më vonesë dhe kur po e bënë këtë nuk po arrin të lidhë një kontratë.

Në qershor të këtij viti, ministria ka bërë njoftim për kontratë për shërbime të ushqimit, i cili është inicuar më procedurë të hapur në një vlerë prej 13 milionë eurosh, me një kohëzgjatje prej 3 vjetësh.

Tenderi ka qenë i ndarë në tri pjesë (lot). Katër kompani kanë qenë në garë. Po ashtu, garues është edhe “Beni Dona” për të gjitha lotët. Pasi e ka mbajtur tenderin në vlerësim prej afro katër muajsh, ministria ka vendosur që të refuzojë të gjitha ofertat si të papërgjegjshme. Kështu, më 19 shtator ka bërë anulim për aktivitetin e prokurimit.

“Ministria e Mbrojtjes anulon këtë aktivitet të prokurimit për të gjitha pjesët, duke pasur parasysh nenin 1 dhe 6 të Ligjit për Prokurimin Publik, sepse të tri ofertat kanë ndryshime të çmimit në mënyrë substanciale për shërbime të njëjta dhe një ofertë tejkalon buxhetin e planifikuar në mënyrë substanciale”, thuhet në arsyetimin e anulimit të këtij tenderi.

Pra, siç shihet ofertë e papërgjegjshme ishte vlerësuar edhe ajo e “Beni Dona”, më të cilën tash është lidhur tender i negociuar.

Por, kompanitë nuk janë pajtuar më arsyetimin e ministrisë për anulim. Dy nga to janë ankuar menjëherë, duke ofruar faktet e tyre se anulimi ishte i kundërligjshëm. Ministria ka shoshitur ankesat e tyre dhe të njëjtat i ka hedhur poshtë, dukë lënë në fuqi vendimin e saj.

Tash kompanitë kanë të drejtë që të paraqesin ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit – OSHP. Ky institucion rëndom i vonon vendimet për disa muaj. /Demokracia.com/

Të ngjashme